Drejtësia sportive braziliane ka vendosur ta aplikojë një masë të re për rastet e ndërhyrjeve të rënda që shkaktojnë lëndime serioze te futbollistët.
Sipas rregullores së re, lojtari që e shkakton një lëndim të rëndë mund të përballet me një pezullim që lidhet me periudhën e rikuperimit të kundërshtarit të lënduar, shkruajnë mediat braziliane, përcjell “Gazeta Express”.
Vendimi vjen pas rasteve të fundit ku ndërhyrje të forta kanë shkaktuar thyerje dhe mungesa të gjata nga fushat e lojës.
Një shembull është rasti i mbrojtësit të Internacional, Victor Gabriel, i cili u denoncua pas ndërhyrjes ndaj sulmuesit të Cruzeiros, Gabriel Pec, që pësoi frakturë të tibias.
Sipas dispozitës së re, nëse lojtari i dëmtuar nuk është në gjendje të rikthehet në stërvitje për shkak të një ndërhyrjeje të dhunshme, futbollisti që e shkaktoi dëmtimin mund të mbetet i pezulluar deri në rikthimin e tij, me një kufi maksimal prej 180 ditësh.
Kjo masë synon t’i ndëshkojë më ashpër ndërhyrjet që i tejkalojnë kufijtë sportivë dhe që shkaktojnë pasoja të rënda fizike për lojtarët. /Gazeta Express
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...