Zëvendëssekretari i Shtetit i ShBA-së, Christopher Landau, udhëzoi zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që të lehtësonin dhe të miratonin një vizë për një ish-ministër polak tani në arrati, duke ia mundësuar atij ikjen në ShBA nga Hungaria, thanë tre persona të afërt me çështjen.
Polonia po mundohet që ta ndjekë penalisht ish-ministrin e Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, arkitekt i ndryshimeve në sistemin gjyqësor në vendin e tij, për të cilat BE-ja ka thënë se e kishin minuar sundimin e ligjit gjatë pushtetit të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në periudhën 2015 – 2023, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai ballafaqohet me 26 akuza që rrjedhin kryesisht nga dyshimi për keqpërdorim të të hollave për përfitime politike nga një fond për viktimat e krimit. Ish-ministri ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje, duke pretenduar se është viktimë e një fushate të motivuar politikisht nga koalicioni qeveritar me qëndrime pro-evropiane, i cili nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Agjencia “Reuters” nuk arriti që të kontaktonte me ish-ministrin Ziobro në Shtetet e Bashkuara. Avokati i tij në Poloni, Bartosz Lewandowski, tha se do t’i përcjellë pyetjet klientit të tij, i cili nuk u përgjigj.
Përderisa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka bërë prioritet mbështetjen e pikëpamjeve konservatore në Evropë, dhënia e vizës një politikani që ballafaqohet me akuza nga një qeveri aleate e ShBA-së është veprim shumë i pazakontë.
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...