Në Korenë e Veriut, qytetarët përballen me ekzekutime publike, dërgim në kampe pune dhe poshtërim brutal për shikimin e dramave koreano-jugore ose dëgjimin e muzikës K-pop.
Sipas dëshmive të mbledhura nga Amnesty International, regjimi kryen dënime ekstreme, përfshirë dënimin me vdekje, për konsumimin e përmbajtjes globalisht të popullarizuar si “Squid Game”.
Ata pa para ose lidhje vuajnë më shumë. Dëshmitarët përshkruajnë një klimë frike ku zotërimi i përmbajtjes koreano-jugore konsiderohet një krim i rëndë, ndërsa familjet më të pasura ndonjëherë mund të shmangin ndëshkimin duke u dhënë ryshfet zyrtarëve të korruptuar.
Sarah Brooks, zv/drejtoreshë rajonale në Amnesty International, tha se Koreja e Veriut zbaton ligje distopiane.
“Për shkak të tyre, shikimi i një drame koreano-jugore mund t’ju kushtojë jetën, përveç nëse mund të paguani një ryshfet,” tha ajo.
Vazhdon lajmi më poshtë përmbajtjes promovuese
Ajo shtoi se “ky sistem plotësisht arbitrar, i ndërtuar mbi frikën dhe korrupsionin, është në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtave ndërkombëtare të njeriut.”
Akti i vitit 2020 për Eliminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare e përcakton përmbajtjen e Koresë së Jugut si “një ideologji e kalbur që paralizon shpirtin revolucionar të popullit”. Shikimi ose posedimi i dramave, filmave ose muzikës së Koresë së Jugut mbart një dënim prej pesë deri në 15 vjet punë të detyruar, ndërsa shpërndarja e sasive të mëdha ose organizimi i shikimit në grup mund të dënohet me vdekje.
Të anketuarit përshkruan se si përmbajtja kontrabandohet nga Kina në disqe USB dhe shihet në laptopë me marrës televizivë të integruar. Dënimi varet kryesisht nga gjendja financiare; ata që nuk kanë para shesin shtëpitë e tyre për të mbledhur mijëra dollarë për të dalë nga kampet.
Shumë nxënës të shkollave të mesme detyrohen të marrin pjesë në ekzekutime publike si një formë edukimi ideologjik.
“Ata ekzekutojnë njerëz për të na shpëlarë trurin”, tha Choi Suvin, i cili dëshmoi një ekzekutim publik në vitin 2017 ose 2018.