Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, është bërë profesor i Fakultetit të Filologjisë. Universiteti i Prishtinës thotë se në rekrutimin e tij “nuk ka pasur as konflikt interesi dhe as dukje të konfliktit të interesit”. Hetemi thotë se procesi ishte i rregullt dhe se me këtë “nuk ka lidhje” fakti që Albiana Arbeni, bashkëshortja e rektorit të UP-së, Arben Hajrullahut, ishte punësuar më herët në këtë institut si Zyrtare e Lartë Certifikuese dhe ushtruese e detyrës së drejtores së Departamentit të Dokumentimit.
Gazeta Express
Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi është emëruar profesor asistent në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Kontrata e tij, e cila do të zgjasë prej 15 shtatorit të këtij viti deri më 14 shtator të vitit 2030, u nënshkrua më 14 janar nga rektori i UP-së, Arben Hajrullahu.
Në institutin e themeluar në vitin 2023 me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të cilin e drejton Hetemi, prej gati dy vjetësh punon Albiana Arbeni, bashkëshortja e rektorit Hajrullahu.
Hetemi thotë se mes emërimit të tij si profesor dhe punësimit të mëhershëm të Albiana Arbenit në institut, nuk ka asnjë lidhje.
“Këto janë procese të ndara”, i tha ai të hënën Gazetës Express.
Ai pranoi se njihet me rektorin e UP-së, të cilin tha se e ka koleg.
“Une kam punu në Departament të Shkencës politike prej vitit 2020 ose 2021. Edhe Arbeni ka punu aty. Do me thënë, sigurisht qe e njoh, sepse e kam pasë koleg dhe e kam koleg, por nuk ka lidhje kjo…”
Në rekrutimin e Hetemit si profesor në Fakultetin e Filologjisë, Universiteti i Prishtinës thotë se “nuk ka pasur as konflikt interesi dhe as dukje të konfliktit të interesit”.
“Për shkak të strukturës kolegjiale të vendimmarrjes dhe ekzistencës së mekanizmave të shumëfishtë të kontrollit dhe ankimit, hapësira për ndikim individual apo institucional në këtë proces është praktikisht e pamundur”, thotë UP në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express të hënën.
UP thotë se Fakulteti i Filologjisë kishte shpallur konkurs për dy pozita të profesorëve asistentë pasi “këto pozita kanë qenë të domosdoshme për procesin e riakreditimit të programit të Ballkanistikës, i cili ishte vënë në rrezik të mbylljes për shkak të mungesës së personelit akademik nga kjo fushë specifike studimi”.
Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar “në përputhje të plotë me Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe me rregulloren përkatëse”, thotë UP-ja.
“Raportet vlerësuese për të gjithë kandidatët janë publikuar në Buletinin e Universitetit të Prishtinës dhe janë të qasshme për çdo palë të interesuar. Universiteti i Prishtinës ka të përcaktuara qartë dhe në mënyrë të detajuar procedurat për emërimin e personelit akademik, të cilat bazohen në parimin e përzgjedhjes përmes komisioneve vlerësuese të pavarura. Këto komisione propozohen dhe miratohen nga Këshillat e Njësive Akademike dhe, sipas rregullave në fuqi, në përbërjen e tyre nuk mund të përfshihen bartës të funksioneve menaxheriale, përfshirë edhe rektorin. Procesi i vendimmarrjes zhvillohet në disa nivele kolegjiale. Propozimet e komisioneve shqyrtohen fillimisht në këshillat e fakulteteve, propozimet e të cilave janë të ankimueshme, dhe vetëm pas kësaj procedohen për shqyrtim në Trupën Këshillëdhënëse dhe pastaj për votim në Senatin e Universitetit. Edhe vendimet e Senatit, si organi më i lartë vendimmarrës, i nënshtrohen mekanizmave të ankimit përmes Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet në përgjigjen e UP-së.
Albiana Arbeni, bashkëshortja e rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu është punësuar në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë në pozitën Zyrtare e Lartë Certifikuese, në mars të vitit 2024, tha instituti në një përgjigje me shkrim.
Kjo është “pozita e saj e rregullt dhe e përhershme në kuadër të institucionit”, tha instituti në përgjen për Gazetën Express.
Albiana Arbeni u emërua si “rezultat i një procedure të hapur dhe konkurruese, të zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil dhe parimin e meritës”, thotë IKKL.
“Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 22 kandidatë; 10 kandidatë kanë kaluar fazën e verifikimit paraprak; në testimin me shkrim kanë marrë pjesë dy kandidatë; testimin me shkrim e ka kaluar znj. Albiana Arbeni, sipas rezultateve të publikuara në SIMBNJ; ndërsa procedura është përmbyllur me intervistë dhe pa ankesa nga kandidatët pjesëmarrës. Në përfundim të procesit, znj. Arbeni është emëruar me akt emërimi të përhershëm, bazuar në rezultatet e arritura gjatë procesit të vlerësimit dhe në parimin e meritës profesionale”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës tha se Albiana Arbeni “ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, përfshirë përfundimin e studimeve Bachelor në London South Bank University, përfundimin e studimeve Master në The University of Sheffield, diploma të nostrifikuara me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe përvojë profesionale të konsiderueshme në sektorin publik dhe privat, brenda dhe jashtë vendit”.
Albiana Arbeni aktualisht mban pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtores së Departamentit të Dokumentimit në IKKL. Ky emërim, siç thotë instituti, kishte ardhur për shkak se nuk kanë mundur të rekrutojnë një drejtor për këtë departament.
“Gjatë vitit 2024, IKKL ka zhvilluar procedura rekrutimi për dy pozita drejtuese: Drejtor i Departamentit të Dokumentimit dhe Drejtor i Departamentit të Hulumtimit. Këto pozita janë shpallur nga dy herë përmes procedurave të rregullta, mirëpo në të dy rastet proceset kanë përfunduar pa sukses, për shkak të mungesës së kandidatëve që kanë arritur të kalojnë fazat përkatëse të vlerësimit. Situata është ndërlikuar më tej për shkak të vonesave objektive në rishpalljen e konkurseve nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), në bazë të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë”, thuhet në përgjigje.
Në këto rrethana, IKKL thotë se “me qëllim të shmangies së vakumit funksional dhe për të garantuar vazhdimësinë e punës institucionale, menaxhmenti i IKKL-së ka qenë i detyruar të caktojë ushtrues detyre, si zgjidhje të përkohshme”. Përzgjedhja, sipas institutit, u bë “mbi bazën e kritereve profesionale, përfshirë njohjen e gjuhëve të huaja, përvojën ndërkombëtare dhe aftësinë për të përballuar kërkesat operative të institucionit”.
Emërimi i Albiana Arbenit si ushtruese e detyrës së drejtores së Departamentit të Dokumentimit në IKKL është “i përkohshëm dhe i diktuar nga nevoja institucionale”, thotë ky institut.
“Vlen të theksohet se znj. Arbeni nuk ka aplikuar më herët, e as nuk synon të aplikojë në të ardhmen për këtë pozitë përmes procedurës së rregullt të konkurrimit. Angazhimin në këtë rol e ka pranuar në frymë bashkëpunimi institucional, pa pretendim personal”, thuhet në përgjigjen e institutit.
IKKL i ka dërguar Gazetës Express një korrespodencë, ku shihet se Albiana Arbeni në gusht të vitit të kaluar kishte ofruar dorëheqjen nga kjo pozitë “për arsye personale”, por drejtori Atdhe Hetemi i kishte kërkuar që të vazhdonte ta ushtronte atë detyrë “edhe për 2-3 muaj të tjerë” ose “deri në përfundim të procedurave të rekrutimit nga konkursi i radhës”.
Albiana Arbeni, sipas IKKL, “është pajtuar të qëndrojë për një periudhë të kufizuar, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës së rregullt të rekrutimit ose deri në transferimin eventual të një Drejtori të Departamentit nga institucione të tjera”.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës thotë se aplikon “parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe meritës profesionale”, dhe se “çdo veprim ndërmerret në funksion të interesit institucional dhe në përputhje të plotë me kornizën ligjore në fuqi”.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...