Recensioni i javës/ Analogjia midis shartimit dhe përdhunimit në dramën e Pirandellos - Gazeta Express
string(84) "recensioni-i-javes-analogjia-midis-shartimit-dhe-perdhunimit-ne-dramen-e-pirandellos"

Arte

Gazeta Express

29/11/2024 15:01

Recensioni i javës/ Analogjia midis shartimit dhe përdhunimit në dramën e Pirandellos

Arte

Gazeta Express

29/11/2024 15:01

(Rreth dramës “Shartimi, historia e një gruaje të përdhunuar”, të Luigi Pirandellos, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2019)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Luigi Pirandello është një nga shkrimtarët më të njohur italianë të shekullit të 20-të, i cili talentin e tij filloi ta shfaqë qysh në adoleshencë. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe përfshin romane, novela, e veçanërisht drama. Pasi bëhet i njohur me këto të fundit, Pirandello i përkushtohet tërësisht teartit, duke krijuar gjithsej gjashtëmbëdhjetë drama. Ky dramaturg njihet edhe si pararendës i teatrit të absurdit, që në teknikat e teatrit modern solli revolucion.  Ndërsa më 1934 u nderua edhe me çmimin Nobel për Letërsi.

Si kryevepër e Pirandellos përcaktohet drama “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”, e si vepra më pak e njohur, drama “Shartimi”, që fillimisht nuk u vlerësua nga kritika, duke u konsideruar dramë minore. “Shartimi, historia e një gruaje të përdhunuar” është dramë me tri akte, e shkruar në vitin 1917, por e botuar pesë vite më vonë, më 1922. Kjo dramë e bazuar në romanin “Shalli i zi” rrëfen historinë e Laura Bantit dhe burrit të saj Xhorxhios, nga i cili nuk mund të ketë fëmijë. Autori përqendrohet rreth marrëdhënies së komplikuar të dy personazheve të tij, për të eksploruar mbi tensionin dhe konfliktin që mund të sjellë pasiguria brenda një martese.

Me temën e përdhunimit në qendër, Pirandello shqyrton dilema morale dhe emocionale për të ngacmuar lexuesin të reflektojë mbi natyrën e dashurisë dhe besnikërisë. Personazhi kryesor, Laura, është viktimë e përdhunimit nga dikush që mbetet i panjohur për ne. Ndërsa reagimi i burrit të saj, Xhorxhio, nuk është ai që pritet. Sepse në vend që të përballet me zemërimin, ai detyrohet të ketë mëshirë, meqë askush nuk ka faj për atë që ka ndodhur. Në këtë mënyrë ky personazh i Pirandellos ballafaqohet me një luftë të brendshme morale, që e detyron atë të vendosë midis dëshirave personale dhe obligimeve shoqërore.

Në dramën “Shartimi”, edhe Laura përballet me pasoja të dyfishta, si në aspektin psikologjik, edhe në atë fizik. Si pasojë e përdhunimit, ajo duhet të ballafaqohet me një shtatëzëni të padëshiruar, që cënon nderin e burrit të saj, i cili mund të rikthehet vetëm me abort. Nevoja për abort shkaktohet nga ndjenja e krenarisë dhe e neverisë, që krijojnë tek Xhorxhio një konflikt të ri, i cili mposhtet vetëm nga ndjenja e mëmësisë, që është shumë më e madhe sesa egoizmi i burrit. Për Laurën, fëmija është i Xhorxhios sepse ajo e dashuron vetëm atë. E kjo ndjenjë e saj në dramë ilustrohet përmes figurës së metaforës. Kopshtari i vilës Banti, Filipo, duke përshkruar aktin e shartimit të një bime, rrëfen se si në një pemë mund të futet një syth i një peme tjetër, fruti i së cilës do t’i përkasë tërësisht pemës së re. Mbrapa figurës së kopshtarit qëndron vetë autori që aludon në idenë se edhe një veprim i tillë brutal mund të kthehet në një “shartim” të frytshëm, të cilin, përmes dashurisë jemi në gjendje ta pranojmë. Sepse gjithmonë duhet të jemi më të fortë se e keqja që na godet.

Advertisement
Advertisement
Advertisement