Real Madrid duket se e ka siguruar tashmë përforcimin e madh të së ardhmes: Franco Mastantuono. Sipas raportimeve nga Eduardo Inda në OkDiario, mesfushori ofensiv i ri i River Plate pritet t’i bashkohet “Los Blancos” në janar të vitit 2026, sapo të mbushë moshën madhore.
Mastantuono, i cili konsiderohet një nga yjet e ardhshëm të futbollit botëror, është përfolur edhe më parë si objektiv i klubeve të mëdha evropiane si PSG, por duket se Reali ka lëvizur më shpejt për ta siguruar. Marrëveshja do të arrijë shifrën e rreth 60 milionë eurove, duke përfshirë klauzolën e lirimit dhe komisionet — një investim që në Santiago Bernabéu e konsiderojnë të arsyeshëm, duke parë potencialin e lojtarit.
I njohur për mjeshtërinë me këmbën e majtë, Mastantuono ka spikatur në futbollin argjentinas dhe ka lënë gjurmë edhe në Superclásico-n kundër Boca Juniors me një gol spektakolar nga goditja e lirë. Me nënshtetësi evropiane në dispozicion, ai nuk do të përballet me pengesa burokratike për t’u bashkuar me ekipin që pritet të drejtohet nga pasuesi i Carlo Ancelottit, i cili do të largohet nga stoli i madrilenëve pas javës së fundit të kampionatit.
Po ashtu, largimi i Luka Modric, një tjetër ikonë e klubit, hap rrugën për një brez të ri talentesh. Në këtë kontekst, ardhja e Mastantuonos shihet si një hap i menduar mirë për të ndërtuar të ardhmen e ekipit.
Real Madrid raportohet se ka zhvilluar tashmë disa takime me drejtuesit e River Plate dhe, megjithëse lojtari nuk do të jetë në dispozicion për Kupën e Botës për Klube, ai pritet të bashkohet zyrtarisht me ekipin e parë në janar 2026.