Reagon sërish Ambasada Amerikane: Retorika nxitëse për ngjarjet e vitit 1999, e papranueshme - Gazeta Express
string(90) "reagon-serish-ambasada-amerikane-retorika-nxitese-per-ngjarjet-e-vitit-1999-e-papranueshme"

Reagon sërish Ambasada Amerikane: Retorika nxitëse për ngjarjet e vitit 1999, e papranueshme

Gazeta Express

08/12/2019 8:45

Pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e quajti masakrën e Reçakut si një histori të trilluar nga ish-Ambasadori i OSBE-së, William Walker, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinës, edhe sot e ka ripërsëritur se retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë të së cilës jemi dëshmitarë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme.

“Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë. Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ripërqëndrojnë energjitë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në deklaratë.

Lexo Edhe:

Ambasada nëpërmjet një komunikate thotë se janë të kujdesshëm në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit.

Nërkohë më 5 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se sa i përket masakrës së Reçakut më 1999 “bëhet fjalë për një krim të trilluar dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Walker”.

Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar krerët më të lartë institucional. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm kur liderët serbë, do të flasin me turp, për trashëgimin e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është pretendenti kryesor për postin e kryeministrit, tha se Serbia duhet të pranojë krimet që ka bërë.

“Ai ka refuzuar ta quajë Srebrenicën gjenocid dhe tani mohon masakrën e Reçakut. Ai do që të ketë një të ardhme paqësore pa pranuar krimet e së kaluarës. Por, gjenocidi, varrezat masive dhe masakrat janë e vërtete e Serbisë. Është koha që Vuçiqi të merret me to”, ka shkruar në Twitter Albin Kurti.

Në Reçak, më 1999 ishin vrarë 45 civilë shqiptarë nga forcat paramilitare serbe. Kjo ngjarje ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë./Express/