Tifo-grupi “Plisat” ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas zhvillimeve të fundit në Klubin e Basketbollit Prishtina, duke theksuar se situata në klub ka filluar të marrë një drejtim pozitiv.
Në reagimin e tyre, “Plisat” kanë bërë të ditur se, për shkak të interesimit të madh të qytetarëve të Prishtinës dhe ndjeshmërisë së situatës, kanë ndier obligim të sqarojnë opinionin publik për hapat e fundit të ndërmarrë rreth klubit.
Sipas tyre, realizimi i objektivave është bërë i mundur falë gatishmërisë së Bekë Berishës për bashkëpunim, të cilin e kanë falënderuar publikisht për rolin e tij në hapjen e rrugës që klubi të kalojë në duart e tifozëve dhe njerëzve profesionistë.
“Plisat” theksojnë se mungesa e profesionalizmit ka qenë e pranishme prej kohësh në klub, ndërsa zhvillimet e fundit shihen si një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit dhe përmirësimit të situatës.
Tutje, tifo-grupi shpreh bindjen se sportin dhe qytetin e Prishtinës i presin ditë më të mira, duke paralajmëruar se detaje shtesë do të bëhen publike në ditët në vijim.
Në fund të reagimit, “Plisat” kanë dërguar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjitha palët e përfshira, duke theksuar se uniteti brenda tifo-grupit mbetet i pathyeshëm. /GazetaExpress