Reagimet gjermane – lehtësim dhe skepticizëm - Gazeta Express
string(42) "reagimet-gjermane-lehtesim-dhe-skepticizem"

Lajme

Gazeta Express

16/06/2026 13:47

Reagimet gjermane – lehtësim dhe skepticizëm

Lajme

Gazeta Express

16/06/2026 13:47

Që nga Kancelari e tutje, Gjermania ka qenë e kujdesshme në reagimet ndaj njoftimit të një marrëveshjeje paqeje midis SHBA-së dhe Iranit. Ka shumë pyetje dhe dilema.

Njoftimi për arritjen e një marrëveshjeje kornizë midis SHBA-së dhe Iranit ka sjellë një ndjesi lehtësimi në Berlin. Megjithatë, reagimet e para tregojnë edhe skepticizëm. Duket sikur të gjithë duan të presin për të parë se çfarë vërtet është arritur dhe çfarë do të ndodhë në terren.

Në fund të fundit, Donald Trumpi ka shpallur vazhdimisht marrëveshje paqeje dhe ka lëshuar ultimatume që nga fundi i shkurtit.

Kancelari Friedrich Merz, sipas Reuters, pret që marrëveshja të nënshkruhet në Gjenevë të premten, siç është njoftuar. Merz, ashtu si udhëheqës të tjerë të vendeve të mëdha industriale, është aktualisht në Evian të Francës, ku po mbahet takimi i G7. Atje ai do të ketë mundësinë të flasë edhe me Trumpin.

Sipas Reuters, Merz ende dëshiron të marrë një vendim të shpejtë mbi pjesëmarrjen e mundshme të Marinës Gjermane në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Nëse plani i paqes hyn në fuqi, Bundestagu mund të votojë për dërgimin e trupave gjermane që javën e ardhshme.

Përmbajtje dhe kujdes

Në platformën X, Merz foli me kujdes: Ai përgëzoi Uashingtonin dhe Teheranin dhe tha se kjo mund të jetë rruga drejt “rimëkëmbjes së ekonomisë botërore dhe stabilizimit të rajonit”. Ai kërkoi që marrëveshja e arritur të zbatohet.

Me kolegët nga Franca, Britania e Madhe dhe Italia, Merz formuloi edhe pritjet për marrëveshjen përfundimtare: Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore ndërsa Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet për transportin ndërkombëtar detar.

Reagime të tjera nga Gjermania janë po ashtu shumë të kujdesshme. “Edhe nëse Ngushtica e Hormuzit hapet për lundrim, do të duhen muaj që furnizimet me naftë të normalizohen”, tha Presidenti i Bankës Federale, Joachim Nagel.

Bllokada e Ngushticës ka çuar në një rritje globale të çmimeve të karburantit. Në Gjermani, koalicioni qeverisës i CDU/CSU dhe SPD u përgjigj me lehtësime tatimore për karburantet që do të jenë në fuqi deri në fund të qershorit.

Pasiguria mbi programin bërthamor

Vetpërmbajtja e gjermanëve nuk është e pabazë. Shumë detaje të marrëveshjes me Teheranin janë ende të paqarta. Kufizimi dhe kontrolli i programit bërthamor ende nuk është diskutuar. E nuk dihet nëse nënshkrimi të premten do të sillte edhe hapjen e menjëhershme të Ngushticës.

Jo të gjithë përfaqësuesit e koalicionit qeverisës në Berlin janë të kënaqur. Roderich Kiesewetter, ekspert i politikës së jashtme, tha se Trump po sakrifikon interesat afatgjata të sigurisë për një sukses të momentit. “Kjo është një katastrofë për popullin e Iranit, shkon direkt në mullirin e makinës së luftës së Putinit dhe e lë derën hapur për një bombë atomike iraniane, sepse nuk ka garanci të forta dhe të verifikueshme”, tha Kiesewetter për portalin t-online. Ai shtoi se Izraeli mbetet i kërcënuar dhe se paraushtarakët e mbështetur nga Irani do të vazhdojnë të destabilizojnë rajonin.

Deputetja socialdemokrate Siemtje Möller thotë se është optimiste e matur. “Një sukses i rëndësishëm negociues do të ishte fundi i operacioneve luftarake dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit. Mbetet të shihet nëse armët do të heshtin vërtet nga të gjitha palët. Çështja thelbësore e konfliktit, programi bërthamor i Iranit, ende duhet të negociohet.”

Bundeswehri dërgon minahedhës?

Berlini ka debatuar për javë të tëra se si Gjermania mund të përfshihet në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se dy anije të marinës gjermane ndodheshin tashmë në Mesdheun lindor, duke pritur urdhra. “Anija minapastruese Fulda dhe anija Moselle po përgatisin personelin dhe pajisjet për çdo zhvillim të mundshëm”, tha ai.

Nëse Bundeswehri përfshihet në heqjen e minave detare, të dy anijet mund të jenë në vendngjarje brenda “shtatë deri në dhjetë ditësh”. Siç është shpjeguar nga qeveria në Berlin, ushtria mund të përfshihet vetëm nëse ekziston një koncept i qartë politik dhe ushtarak, si dhe një mandat nga parlamenti.

Besohet se Bundestagu do të pranonte të dërgonte anije ushtarake nëse veprimi ishte rreptësisht mbrojtës, për shembull për të hequr minat. Por para kësaj, një shumë çështje ende nuk janë sqaruar. /DW

Advertisement
Advertisement
Advertisement