Barcelona pritet të ndahet me të paktën dy ose tre lojtarë të rëndësishëm gjatë afatit kalimtar veror, me Marc-André ter Stegenin dhe Robert Lewandowskin që shihen si kandidatët më të mundshëm.
Por një largim edhe më i madh do të ishte ai i Raphinha, e ardhmja e të cilit në “Spotify Camp Nou” po ngjall disa dyshime.
Ka qenë një sezon i vështirë për sulmuesin brazilian, pasi problemet e vazhdueshme me dëmtimet e kanë bërë të mungojë në 19 ndeshje në të gjitha garat.
Ai është plotësisht i vetëdijshëm për gjendjen e tij fizike dhe, sipas raportimeve, kjo e ka bërë të dyshojë nëse duhet të vazhdojë si lojtar i Barcelonës edhe për të paktën një sezon tjetër.
Raphinha ka pasur kohë të reflektojë mbi situatën e tij gjatë mungesës së fundit për shkak të dëmtimit, megjithatë nuk do të marrë një vendim përfundimtar deri në fund të sezonit.
Barcelona është në dijeni që anësori i majtë po e shqyrton seriozisht të ardhmen e tij, dhe ndoshta për këtë arsye klubi nuk është më plotësisht kundër idesë së largimit të tij.
Në rast se Raphinha largohet nga Barcelona, konsiderohet pothuajse e sigurt që destinacioni i tij do të ishte Arabia Saudite.
Klubet nga ky vend e kanë ndjekur prej vitesh dhe të paktën disa prej tyre po planifikojnë të bëjnë ofertë gjatë kësaj vere.
Megjithatë, ideja e preferuar për momentin duket të jetë që ai të qëndrojë edhe një sezon në Kataloni.
Raphinha është i motivuar nga dëshira për ta rikthyer trofeun e Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”, trofe që i mungon klubit që nga viti 2015.
Nëse qëndron, ai do të vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë nga të gjithë në skuadër, përfshirë trajnerin Hansi Flick dhe bashkëlojtarët e tij./GazetaExpress/