Gjatë inaugurimit të godinave 16 dhe17 në Qytetin Studenti kryeministri Edi Rama ironizoi kundërshtarët politikë, duke i cilësuar si një e keqe që ka zaptuar vendin prej vitesh.
“Kjo është puna që po bëjmë duke u përballur në mënyrë të vazhdueshëm me një të keqe që është e keqja e një trashëgimie të rëndë, e një tranzicioni që e kemi lënë pas, sepse nuk jemi tani në një tranzicion, përderisa negociojmë anëtarësimin dhe përderisa kemi derën e BE që tani shihet e mund të arrihet, por edhe për faktin më të thjeshtë akoma një përballje e cila lidhet edhe me një përndjekje të të ligës, të së keqes, të një shpirti të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbas shumë shance e të futet në një qorrsokak duke filluar që kur u shpall pavarësia, dhe sapo ngritën flamurin, panë t’ju qepen këmba këmbësh shejtanët që për fat të keq arritën ta dominojnë Shqipërinë para dhe prapa rënies së regjimit komunist. për fat të keq akoma i kemi aty shejtanët por tani i kemi në rolin e hudhrës se na mbajnë larg syrit të keq”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se lokomotiva në të gjitha drejtimet dhe mbështetja me e madhe e PS është bashkia e Tiranës, ndërsa u ndal te transformimi që ka pësuar kryeqyteti dhe ndikimin e tij në imazhin e gjithë Shqipërisë.
“Duhet të jenë të gjithë të bindur se për qeverinë tonë dhe mua personalisht, Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet, dhe mbështetja jonë në këtë aspekt ka qenë, është dhe do mbetet një mbështetje prioritare, sepse për ne ka shumë rëndësi që ky partneritet të vijojë të prodhojë sukses, dhe ka shumë mundësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare, sepse Bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat: Është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj se të tjerat dhe në një farë mënyre për të udhëhequr me shembullin e saj në rrugën ku edhe të tjerët do hyjnë hap pas hapi”, shtoi kryeministri.
Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin se po vijon puna në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Sportit për paketën e re të shkollave që do ndërtohen në kryeqytet.
“Kemi përfunduar Lotin 1 të shkollave në zonën e lagjes “Rilindja” ish-Astiri në Unazën e Madhe. Sot diskutojmë që ajo lagje të ketë më në fund çerdhet, kopshtet, shkollat ashtu siç i ka çdo lagje tjetër e Tiranës. Paketa tjetër do të jetë në Sauk që e mbulon Njësia 2. Është rritur popullsia më shumë seç ne kemi pasur mundësi që të mbajmë ritmin. Kështu që, pas shkollës “Bashkim Fino” do bëjmë edhe dy shkollat e tjera. Do kemi shkollën tek ish-spitali i Arabit, që më në fund e morëm si territor për ta kthyer në shkollë edhe falë bujarisë së ministrisë së Brendshme, që parkingun e pa përdorur të Akademisë së Policisë ja ka kaluar Bashkisë së Tiranës që ne të kemi dhe dy shkollat e shkëlqyera në Sauk, edhe t’i gëzojnë fëmijët, çunat dhe gocat e lagjes sonë”, tha Veliaj.
Ndër projektet e reja, Rama theksoi nismën për ofrimin e ushqimit të drekës në shkollat 9-vjeçare, një program që synon të ndihmojë familjet dhe të krijojë një komunitet më të fortë social mes fëmijëve po ashtu dhe mbështetjen për pensionistët përmes aboneve falas të financuara nga Bashkia e Tiranës.