Kryeministri Edi Rama në prezantimin e Reformës së Trajtimit të Integruar të Mbetjeve, gjatë ditës së sotme solli fillimisht në vëmendje situatën e menaxhimit të mbetjeve dhe pastrimit të territorit gjatë këtij sezoni turistik.
Kryeministri u shpreh se “sërish, si në çdo sezon u përballëm me sfidën e madhe të përballimit të rritjes shumë domethënëse të sasisë të mbetjeve, për shkak të numrit të shtuar të vizitorëve e turistëve”.
“Sidoqoftë dua të them se kemi parë edhe këtë vit përmirësim të ndjeshëm në pjesën dërrmuese të territoreve, të ndikuara nga rritja e volumit të vizitorëve e turistëve dhe nga rritja e madhe e volumit të mbetjeve”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “patjetër që ka pasur disa probleme, por edhe këtë vit duke filluar nga Bashkia e Lezhës e cila vazhdon të prijë me forcën e shembullit në pastërti, duke vazhduar me Shkodrën, Durrësin, Himarën e më tutje, gjërat kanë shkuar më mirë se sa vitin e shkuar”.
Në këtë drejtim, kryeministri nënvizoi se ka një përmirësim inkurajues, por nga ana tjetër problem mbetet mungesa e uniformitetit në këtë drejtim, pasi ka përgjatë vijës bregdetare disa zona problematike.
“Ndërkohë ne duhet të vazhdojmë me një ritëm edhe më të lartë për sa i përket reformave edhe masave ligjore edhe në funksion të ambicies e të objektivit prioritar kombëtar për anëtarësimin në Bashkimin Europian në fund të kësaj dekade, por duke filluar nga mbyllja e negociatave për anëtarësim në fund të vitit 2027, sikundër është rënë dakord në parim me Komisionin Europian”, tha Rama.