Rama: Naivë e të verbuar janë ata që e konsiderojnë aktakuzën si moment të pastrimit të skenës politike e shkapjes së shtetit - Gazeta Express
string(124) "rama-naive-e-te-verbuar-jane-ata-qe-e-konsiderojne-aktakuzen-si-moment-te-pastrimit-te-skenes-politike-e-shkapjes-se-shtetit"

Rama: Naivë e të verbuar janë ata që e konsiderojnë aktakuzën si moment të pastrimit të skenës politike e shkapjes së shtetit

Gazeta Express

30/06/2020 14:46

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të takimeve të tij në Kosovë me krerët e politikës pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”.

Rama ka bërë thirrje për unitet, derisa ka drejtuar kritika dhe akuza në drejtim të Gjykatës Speciale, duke rikujtuar se dihet qartë se kush ka qenë agresori dhe kush viktima.

Lexo Edhe:

Tutje Rama ka thënë se janë krejt naiv dhe të verbuar nga mllefi, të gjithë ata që mendojnë se publikimi i aktakuzës është bërë për të pastruar skenën politike të Kosovës apo për shkapjen e shtetit.

“Kush mendon e propagandon, qoftë edhe me një koment të pamenduar e naiv në rrjete sociale, se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personash apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për shkapjen e shtetit është ose naiv, krejt naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi”, ka thënë Rama.

Fjala e tij e plotë:

Dëshiroj të bëj një komunikim paraprak dhe pastaj të vazhdoj më tutje me pyetje-përgjigjet që me siguri do të plotësojnë gjithë kornizën e kësaj vizite.

Për së pari dëshiroj të bëj të qartë faktin se unë jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare, besoj për t’i dhënë një mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politikë të saj, në kushtet kur, e dimë të gjithë, ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë.

Pothuajse për dy dekada në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, është mbështetur dhe është zhvilluar si një proces i pandashëm nga procesi i shtetndërtimit, procesi i pajtimit ndëretnik dhe procesi i integrimit evropian, dialogut e normalizimit me Serbinë.

Madje, në këtë formë është formuluar edhe në strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor nga BE-ja. Ndërkaq, është krejt e kuptueshme që procesi i vështirë i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit me të kaluarën nëpërmjet drejtësisë, por është çështje e ndërtimit të së ardhmes përmes politikës dhe komunikata e ashtuquajtur një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji, me komunikatat publike përgjatë revolucionit kinez, një shfaqje që e kemi jetuar në Shqipërinë e diktaturës. Është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj dhe përbën një arsye. Pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Për të thënë se historia e kësaj Gjykate Speciale u nis me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen.

Sigurisht që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekje në shumë stacione. Por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. Dhe në këtë aspekt, më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë dhe të të jepet mundësia të kontribuosh për atë që ishte dhe është vlera historike e luftës çlirimtare të Kosovës.

Dua të bëj shumë të qartë që më vjen sinqerisht keq kur shoh dhe reagime të ndryshme, dhe këtu flas për reagime në nivelin qytetar, se si helmi i jetës së përditshme, ka penetruar te qytetarët dhe ndikon që të mos kuptohet dhe të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi me komb, që nuk lidhet as me dy persona, nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo të metat e tyre në kohë paqeje. Nuk lidhet as me simpatitë e bindjet, apo me mbështetje politike të natyrës zgjedhore. Por lidhet me një prej vlerave, që është vlera e luftës për liri të Kosovës, pjesë e të cilës në mënyrë vendimtare është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dhe nga ana tjetër, mendoj që ky është moment kur sigurisht kemi një krizë, një krizë disaplanëshe të shkaktuar nga kjo fletërrufe, por kemi edhe një mundësi të madhe për të vënë në pah, jo thjesht vlerat e luftës dhe edhe një herë tjetër të vërtetën elementare se Kosova ishte viktima dhe jo agresori, por për të vënë në pah gjith vlerën e krijuar në gjithë këtë proces shtetndërtimi, si shprehje e gatishmërisë për drejtësi. Dhe balancin e prishur mes Kosovës dhe Serbisë në raport me drejtësinë për krimet e luftës.

Ju jeni dëshmitarë, prej 21 vjetësh Kosova i ka dhënë mbështetje përmes autoriteteve të veta drejtësisë ndërkombëtare, e cila ka rigjykuar e stërgjykuar ato që janë konsideruar krime lufte, dhe pafajësia e disa prej figurave kryesore të UÇK-së, dhe këtu po sjell Hardinajn dhe Limajn si dy shembuj, qoftë për staturën në luftë, qoft për kalvarin e tyre të drejtësisë, është në fakt edhe një akuzë për efikasitetin e drejtësisë ndërkombëtare.

Dhe sot, për mua është një sprovë e madhe, jo e natyrës politike por edhe kombëtare, morale e njerëzore, që kush flet shqip, sepse këtë ka gjuhën e nënës, e gjuhën e nënës të mos e përdorë për të ndarë pjesëtarët e kësaj bashkësie, përfaqësues të forcave e bindjeve të ndryshme, në patriot e tradhtarë, apo në të ndershëm dhe hajdut. Nuk është ky rasti, sepse historia jonë e shqiptarëve, këndej dhe andej bjeshkëve, duhet të na ketë mësuar që ka gjithmonë një kohë për t’u përleshur me njëri-tjetrin, për ide e bindje, për çfarëdo qoftë, por duhet të ketë sa herë koha e vë në pikëpyetje një moment për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, për historinë tonë dhe për gjeneratat e tjera.

Kush mendon e propagandon, qoftë edhe me një koment të pamenduar e naiv në rrjete sociale, se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personash apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për shkapjen e shtetit është ose naiv, krejt naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi.