Rama i vendos kusht naftëtarëve: Pa ndalur grevën nuk ka asnjë bisedim me qeverinë - Gazeta Express

Gazeta Express

21/10/2020 18:05

Rama i vendos kusht naftëtarëve: Pa ndalur grevën nuk ka asnjë bisedim me qeverinë

Gazeta Express

21/10/2020 18:05

Kryeministri Rama duket se e ka vendosur tashmë ‘kushtin’ e tij për të ulur në bisedë me naftëtarët e Ballshit, një pjesë e të cilës ka hyrë në grevë prej thuajse 1 muaji.

Rama shkruan se është i keqardhur për refuzimin që i bënë lutjes së tij për të ndërprerë grevën. Kryeministri ka shtuar se nëse grevistët duan të ulen në bisedë me qeverinë, do duhet ta ndërpresin grevën, një kërkesë që më parë është refuzuar nga gratë që ndodhen në grevë, me argumentin se për vite me radhë, ata janë gënjyer nga të tilla kërkesa e premtime të qeverisë.

Rama: Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh, sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim! Ideja se duke u futur në grevë mund t’i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t’u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht.

Kujtojmë se disa ditë më parë Rama i ftoi grevistet për të biseduar, por këto të fundit refuzuan kërkesën e kryeministrit për të lënë grevën. Grevistet u shprehën se Rama do duhej të vinte në Ballsh dhe të bisedonte, dhe se naftëtaret nuk kishin ndërmend të ndalonin grevën pa marrë pagat e tyre të prapambetura.

Në ftesën e Ramës, e datës 19 tetor, thuhej se grevistet s’duhet t’i vinin ultimatume qeverisë.

“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!”-shkruante Rama, pavarësisht se këtë të martë ka qenë vetë ai që ka vendosur një “kusht pa të cilin” s’do të bisedojë me grevistët./Express