Qytetarët në Serbi ndihmuan të prekurit nga zjarret, Vuçiq sfidon protestat: Zgjedhjet i shpall kur dua unë - Gazeta Express
string(105) "qytetaret-ne-serbi-ndihmuan-te-prekurit-nga-zjarret-vuciq-sfidon-protestat-zgjedhjet-i-shpall-kur-dua-une"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 7:20

Qytetarët në Serbi ndihmuan të prekurit nga zjarret, Vuçiq sfidon protestat: Zgjedhjet i shpall kur dua unë

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 7:20

‘Lufta’ e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj studentëve dhe qytetarëve protestues po vazhdon, teksa veprimet e mosbindjes civile janë intensifikuar në të gjithë vendin.

Pak para vikendit, të premten, në vend të bllokadave të rrugëve, studentët dhe qytetarët vendosën të organizojnë aksione solidariteti, duke mbledhur ndihma për familjet e prekura nga zjarret shkatërruese në jug të Serbisë, ku në një fshat u dogjën rreth 300 shtëpi.

Thirrjet për mosbindje civile erdhën pas protestës masive të mbajtur më 28 qershor në Beograd, ku rreth 140,000 qytetarë kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Protesta u shpërnda me dhunë nga policia, me shumë protestues të plagosur e të arrestuar.

Në ditët e fundit, epiqendra e protestave është zhvendosur në qytetin e Uzicës, ku tetë demonstrues janë mbajtur në paraburgim për 30 ditë. Qindra qytetarë të këtij qyteti marshuan në rrugët kryesore edhe të premten, duke kërkuar lirimin e tyre me thirrjen: “Lironi të gjithë!”

Nga protestat, iu drejtuan edhe presidentit Vuçiq me mesazhin që të ndalë përbuzjen ndaj qytetarëve dhe të shpallë zgjedhje të reja.

Ndërkohë, Vuçiq në një intervistë për TV Informer deklaroi se policisë nuk do t’i jepet “dritë jeshile” për përdorim force përveçse në raste ekstreme. Ai shtoi se “grupet prej 100 vetash nuk mund ta bllokojnë shtetin”, duke nënvlerësuar përmasat e protestave.

“Të gjitha ato që thonë janë pa kuptim, nuk do të dalë gjë nga kjo. Unë do të veproj sipas interesave të Serbisë dhe do të shpall zgjedhje kur të vendos unë, jo kur të ma kërkojnë të huajt apo persona pa kompetencë,” tha ai ndër të tjera.

Protestat po vazhdojnë, ndërsa tensionet mes qytetarëve dhe pushtetit janë në rritje.