Qysh me i besu Hotit? - Gazeta Express
string(20) "qysh-me-i-besu-hotit"

Qysh me i besu Hotit?

Gazeta Express

18/09/2020 10:17

Si t’i besohet Avdullah Hotit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe kur për pak muaj ndërroi komplet qëndrimin për Mini Schengenin, që e konsideronte projekt të rrezikshëm dhe kundër interesit të Kosovës? Si t’i besohet Hotit që shkoi në Washington të diskutojë për njohje reciproke me Serbinë, por nënshkroi krejt diçka tjetër?

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Bashkëpunëtorë të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ai vetë janë optimistë se marrëveshja me Serbinë do të arrihet shpejt. Në paraqitjet publike, ata thuajse janë të bindur se gjithçka do të përfundojë për një vit, pra brenda kohës së moratoriumit të vendosur në zotimet e Washingtonit për mosaplikim të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mosveprim të Serbisë kundër njohjes së Kosovës shtet.

Menjëherë pas takimit në Washington, Brukseli është rikthyer në qendër dialogimi ndërmjet palëve. Sipas palës kosovare, gjithçka që po negociohet është në funksion të arritjes së “njohjes reciproke”, edhe pse bisedimet po zhvillohen të mbështjellura me mostransparencë e paqartësi.

Në fakt, këto ditë në Bruksel po diskutohen edhe çështje që janë konsideruar të mbyllura ndërmjet të dyja vendeve, kurse është kthyer në mision kryesor të Serbisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Avdullah Hoti po përsërit çdo ditë se ky organizëm do të krijohet bazuar në kushtetutën e Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive, ndërkaqë Serbia kërkon të kundërtën.

Institucionet kosovare kanë marrë obligme ndërkombëtare për krijimin e Asociacionit dhe Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar kundër frymës kushtetuese më shumë se njëzet pika të marrëveshjes për themelimin e tij. Megjithatë, madje edhe vetë ideja se kjo çështje do të jetë temë diskutimi në Bruksel është e rrezikshme, e lëre më themelimi i një organizmi që, me kompetenca ekzekutive, do të defunksionalizonte shtetin edhe ashtu të brishtë të Kosovës.

Për vite me radhë zyrtarë të PDK’së, por edhe të LDK’së kanë thënë se Asociacioni nuk ishte më shumë se një OJQ. Nëse ka qenë kështu, atëherë pse është dashur që për një OJQ të diskutohet dhe të arrihet marrëveshje me Serbinë në Bruksel? Nëse është OJQ, atëherë do të duhej regjistruar si e tillë në institucionin përkatës, ashtu siç ka ndodhur edhe me asociacionin ekzistues.

Tash kur Asociacioni ka rrezik të rikthehet në Bruksel, është rikthyer edhe beteja ndërmjet PDK’së e LDK’së se kush është fajtor për të. Madje presidenti Hashim Thaçi po e quan të rrezikshëm tash, ndërkohë që më 2013 e 2015 e lëvdonte, duke thënë se do të sjell shumë të mira – që nga liberalizimi i vizave, deri te anëtarësimi në Interpol, UNESCO e NATO. Një tregim i dëgjuar tashmë, që nuk i beson kush.

* * *

Avdullah Hoti po vazhdon negociatat në Bruksel përkundër një koalicioni të brishtë që udhëheq, madje pa përkrahjen e plotë as të partnerit qeverisës, AAK’së. Delegacionet e të dyja shteteve po diskutojnë edhe tema për të cilat ishte menduar se janë mbyllur tashmë. Në këtë mënyrë, Hoti po synon që të mbërrijë fundin e dialogut me Serbinë, që do të rezultonte me “njohje reciproke”.

Pavarësisht optimizmit të tij dhe të njerëzve afër tij, është pak e besueshme që marrëveshja me Serbinë do të arrihet shpejt. Siç është pak i besueshëm dhe Hoti në ato çfarë thotë dhe në premtimet që jep. Sepse, e kaluara e afërt ka treguar se në disa raste ai ka vepruar ndryshe prej atyre që ka thënë.

Mini Schengeni, të cilin Hoti e kundërshtonte ashpër, madje duke e quajtur projekt të rrezikshëm dhe kundër interesit të Kosovës, përnjëherë u bë i pranueshëm dhe dobiprurës. Ndërkaq, deklaratat për bisedime me Serbinë “vetëm për njohje reciproke” në Washington rezultuan me krejt diçka tjetër. Madje Serbia hoqi nga drafti i zotimeve pikën që nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, megjithatë Hoti pranoi të nënshkruajë dokumentin.

Përkrahës të Hotit mund të thonë se vullneti i tij për të arritur një marrëveshje të mirë nuk duhet vënë në dyshim. Në këtë pikë edhe mund të pajtohen të gjithë. Kështu janë arsyetuar vazhdimisht bartësit e institucioneve gjatë gjithë procesit të dialogut dhe jo vetëm, por më pas nënshkruanin marrëveshje që dilnin të ishin të dëmshme. Marrëveshja për Asociacionin, me protagonistë Hashim Thaçin e Isa Mustafën, është dëshmia më e mirë.

Por, po e përsëris, e kaluara e afërt ka treguar se Hotit nuk mund t’i besohet. Ai nuk dallon nga shumica e politikanëve në vend të cilët nuk e kanë fort dert që tjetër gjë flasin, e tjetër veprojnë. Vetëm duhet sjellë ndërmend premtimet për liberalizimin e vizave, demarkacionin me Malin e Zi, hapjen e qindra-mijëra vendeve të reja të punës, ndaljen e praktikave korruptive dhe nepotiste e kështu me radhë.

Tekefundit, Avdullah Hoti është pjesë e një partie që tjetër gjë premton në fushatë, e krejt ndryshe vepron pas zgjedhjeve. Një praktikë kjo e “partisë instituicionaliste” që veç sa e shton skepticizmin në ato që thotë dhe bën kryeministri.