Qeverisja Kurti dhe ura e Saradranit - Gazeta Express
string(36) "qeverisja-kurti-dhe-ura-e-saradranit"

OP/ED

Gazeta Express

06/01/2023 14:46

Qeverisja Kurti dhe ura e Saradranit

OP/ED

Gazeta Express

06/01/2023 14:46

Gjatë gati dy vjetëve qeverisje, në fushën e infrastrukturës Albin Kurtit i mbetet të krenohet me përurimin e urës së gjatë 12 metra që lidh fshatin Saradran të Istogut dhe Ruhot të Pejës. Dështimet në shëndetësi e arsim janë tregime në vete. As në fushat tjera s’ka fort arsye për festë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

I shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe nën përcjelljen e mediave, Albin Kurti më 3 dhjetor të vitit të kaluar përuroi një urë të gjatë 12 metra në Dukagjin. Ura mbi lumin Drini i Bardhë lidh fshatrat Saradran dhe Ruhot.

Zyra e Kryeministrit njoftoi publikun se i pari i qeverisë pa nga afër edhe punimet në ndërtimin e rrugës “Lugu i Drinit”, me ç’rast u përurua edhe një pjesë e saj prej 2.1 kilometrash. Këtë aktivitet Kurti e cilësoi “rast të rëndësishëm” për banorët dhe për zhvillimin insfrastrukturor të këtyre dy komunave.

Një ceremoni e tillë duket normale dhe do të duhej të cilësohej kësisoj. Por, marrë parasysh rezultatet e qeverisjes së Kurtit gjatë gati dy viteve, atëherë përurimi i një ure pakmetërshe nuk është më shumë se një tallje. Tallje lapidare me qytetarë.

Në fakt kjo urë, e cila ende nuk shfrytëzohet nga banorët për shkak se një pjesë e rrugës nuk është asfaltuar, është sinonim i qeverisjes që Kurtit – një qeverisje e ngathët, pa rezultatet të prekshme dhe pa vizion.

Premtimet e mëdha të Kurtit dhe të Vetëvendosjes nuk janë parë të realizohen gjatë kësaj kohe, ndërkohë që s’ka munguar retorika e eksponentëve të pushtetit që lartëson çdo veprim e çdo vendim të kryeministrit. Në realitet, gjërat nuk është se kanë lëvizur.

Se si ka qeverisur Kurti përgjatë gati gjysmës së mandatit mjafton të analizohet sektori i shëndetësisë. Eksperimentet me ministra – por jo vetëm – e kanë lënë këtë sektor në gjendje të mjerueshme, pa shpresë se mund të përmirësohet shpejt. Thuajse gjendje e njëjtë është edhe në arsim, ku reformat e premtuara nuk po shihen në horizont.

E në infrastrukturë punët qëndrojnë edhe më keq. Realizimi i premtimit për ndërtimin e 50 çerdheve në mbarë Kosovën tashmë është kthyer në utopi, ndërkohë që utopik tingëllon edhe premtimi i bujshëm i Kurti për ndërtimin e strehimit të përballueshëm për rreth katër mijë çifte të reja. Drejt realizimit të këtij projekti deri më tash janë bërë zero hapa.

* * *

Zero ose pak hapa janë bërë edhe në realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, siç janë rrugët për Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan… Qytetarët e këtyre rajoneve vuajnë tash sa vjet papërgjegjësinë e qeverive të kaluara dhe po vazhdojnë të vuajnë papërgjegjësinë edhe të kësaj qeverie. Askush nuk po thotë se Albin Kurti ka faj pse këto rrugë nuk kanë përfunduar me kohë, por të gjithë presin që qeveria aktuale t’i mbarojë ato, sepse premtimet e Kurtit dhe të Vetëvendosjes kanë qenë të tilla.

Mund të jenë të kuptueshme arsyetimet se në gjithë këtë situatë ka ndikuar situata me pandeminë dhe kriza globale financiare, por assesi nuk mund të arsyetohet mospuna e ministrive përkatëse për realizimin e projekteve qoftë edhe të vogla dhe jokapitale.

Gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, gjthçka që bënin partitë tjera për Vetëvendosjen ka qenë gabim. Atëbotë kjo parti fliste dhe proklamonte mënyrë idealiste të qeverisjes, premtonte qeveri me njerëz punëtorë dhe në shërbim të qytetarëve. Në të kaluarën Vetëvendosja e ka kritikuar edhe asfaltin, por është e papërgjegjshme të mos investohet në përfundimin e rrugëve të mbetura në gjysmë, që ua vështirësojnë çdo ditë jetën qytetarëve.

Gjatë gjithë këtyre muajve qeverisjeje, qytetarët kanë përjetuar fare pak nga realizimi i premtimeve. Qeveria ka shpërndarë herë pas here miliona euro ndihma për qytetarët, me qëllimin që të zbut krizën ekonomike e sociale, por ka bërë fare pak për zgjidhje sistematike të problemeve. Në plot raste qeveria ka mirëmbajtur parazitë, në vend që të punojë për krijimin e kushteve për punësim e mirëqenie më të madhe.

Të mos keqkuptohemi, nuk ka asgjë të keqe përurimi i urës që lidh komunat e Istogut dhe Pejës. Por, ky do të duhej të ishte veç një projekt i vogël, në mesin e projekteve të tjera që do të duhej të ishin përururar deri më tash. Për gati 22 muaj qeverisje.