Një burrë nga Kalifornia është akuzuar për tentativë vrasje të Presidentit e SHBA-së, Donald Trump, në një incident që ka nxitur një rishikim të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë.
Cole Tomas Allen, 31 vjeç, u përball gjithashtu me dy akuza për armëmbajtje pa leje gjatë paraqitjes së tij në gjykatë në Uashington DC të hënën.
Sipas prokurorëve, ai mbante me vete një pistoletë gjysmë-automatike, një armë gjahu me pompë dhe tre thika, teksa kaloi me forcë një pikë kontrolli sigurie gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të shtunën.
Një agjent i Shërbimit Sekret u qëllua, por nuk mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit që ndodhi në një hotel. I akuzuari përballet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.
I veshur me një uniformë blu burgu dhe me një etiketë emri, i dyshuari u shfaq i qetë gjatë seancës gjyqësore të së hënës në kryeqytetin amerikan.
Ai foli me zë të ulët, duke iu përgjigjur pothuajse çdo pyetjeje të gjyqtarit me “po, i nderuar gjykatës” ose “jo, i nderuar gjykatës”.
Ai deklaroi moshën e tij dhe tha se kishte një diplomë master. Tre marshallë amerikanë qëndronin pas tij dhe një tjetër pranë tij, ndërsa prokurorja federale që po merret me çështjen, Jeanine Pirro, e ndiqte nga afër.
Gjatë incidentit të së shtunës në mbrëmje, Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance, anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë u larguan me shpejtësi nga salla e hotelit Ëashington Hilton, pasi u dëgjuan të shtëna armësh.
I dyshuari dyshohet se kaloi me forcë një pikë kontrolli sigurie një kat mbi sallën ku po zhvillohej aktiviteti.
“Një oficer i Shërbimit Sekret u qëllua në gjoks, por mbante një jelek antiplumb që funksionoi,” deklaroi ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Todd Blanche, gjatë një konference për shtyp të hënën.