Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po qëndron në Kinë për një vizitë ku u prit nga homologu i tij kinez, Xi Jingping.
Putini i tha Xisë se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur “një nivel të paprecedentë të lartë”.
Kjo shprehje është dëgjuar edhe më parë, raporton BBC. Si Putini ashtu edhe zyrtarët e tij e kanë përdorur gjatë vizitave të mëparshme në Kinë, në qershor dhe shtator të vitit të kaluar.
Por kjo vjen gjithmonë nga pala ruse.
“Është e vërtetë që tregtia dypalëshe ka arritur nivele rekord. Por kur bëhet fjalë për gjuhën diplomatike, kinezët janë më të kujdesshëm dhe më të nuancuar”, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Xi e quan homologun e tij “mik të vjetër” dhe i ka përshkruar lidhjet mes tyre si “të palëkundura”.
Lideri kinez zakonisht i përmbahet një gjuhe të kujdesshme diplomatike dhe dëshiron të ruajë epërsinë e tij, në vend që të përdorë retorikë të ekzagjeruar për marrëdhënien.
Kina është partneri për të cilin Rusia ka nevojë — dhe ajo ka fuqinë ekonomike dhe ndikimin diplomatik për të vendosur tonin dhe kushtet e marrëdhënies.
Sipas medias shtetërore ruse TASS, Putini e quajti Xinë “mik i dashur”.
Lideri rus kujtoi gjithashtu një idiomë kineze – “Edhe nëse nuk jemi parë për një ditë, duket sikur kanë kaluar tre vjeshta” – e përdorur zakonisht për të përshkruar një pritje të gjatë dhe të vështirë për një ngjarje të rëndësishme ose për arritjen e një qëllimi.
Ai gjithashtu theksoi se vëllimi i tregtisë mes Rusisë dhe Kinës është rritur më shumë se 30 herë gjatë 25 viteve të fundit, sipas TASS.