Shoqata Sindikale Pastrimit, përmes një komunikate për media, është deklaruar pas takimit të mbajtur mes tyre dhe komunës së Prishtinës, duke thënë se përkundër diskutimeve ‘‘Komuna nuk ka ofruar asnjë zgjidhje’’ për kërkesat që kanë punëtorët e ‘‘Pastrimit’’, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, në komunikatë thuhet edhe se, punëtorët do të vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kërkesave që ata kanë.
Pos kësaj, nga Sindikata deklarohet edhe se, kontrata e nënshkruar me komunën e Prishtinës, parasheh shërbim tjetër dhe se e njëjta nuk përben zgjidhje të krizës.
Komunikata:
Në lidhje me takimin e mbajtur sot ndërmjet Sindikatës ‘Punëtori’ të KRM “Pastrimi”, dhe Komunës së Prishtinës njoftojmë opinionin publik se, përkundër diskutimeve të zhvilluara, Komuna nuk ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat tona themelore.
Kontrata e nënshkruar dje ndërmjet Komunës dhe ndërmarrjes “Pastrimi” parasheh një shërbim krejtësisht tjetër – shërbime sipërfaqësore në vlerë prej 1.5 milion eurosh – dhe nuk përbën zgjidhje për krizën reale me të cilën përballemi. Mjetet e kësaj kontrate nuk janë të menjëhershme dhe nuk e mundësojnë rikthimin e menjëhershëm në operim.
Theksojmë se vazhdojmë grevën deri në përmbushjen e kërkesave tona bazë, përfshirë:
*Pagesën për muajt janar deri në maj, për shërbimet që i kemi kryer, ende nuk e kemi marrë nga komuna,që do të mundësonte furnizimin e menjëhershëm me naftë dhe rikthimin në funksion të plotë të ndërmarrjes.
* Nënshkrimin urgjent të kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë.
* Zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme që garanton mbështetje institucionale dhe financiare.
* Ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë, të cilët po ofrojnë shërbime paralele duke dëmtuar ndërmarrjen publike.
* Konsultimin e domosdoshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek operimin në territorin e Prishtinës.
* Respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, përfshirë trajtimin me përgjegjësi institucionale.
Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, greva nuk do të ndërpritet. Çdo zgjidhje e pjesshme është e papranueshme dhe nuk ndikon në vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesin publik, dinjitetin e punëtorëve dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes publike.
Gjithashtu, kërkojmë falje publike për sjelljen e njërit nga punëtorët ndaj përfaqësuesve të mediave gjatë ditës së sotme. Ka qenë një shpërthim emocionesh si rezultat i provokimeve të përsëritura nga zyrtarë komunalë, dhe nuk përfaqëson vlerat e përgjithshme të punëtorëve të “Pastrimit”.
Falënderojmë të gjitha mediat për përkushtimin, angazhimin dhe raportimin e drejtë. Ju jeni përkrahja jonë më e rëndësishme në këtë betejë për të luftuar të keqen me të cilën po përballemi këto ditë. /GazetaExpress