Efektivi i policisë së Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Mendares nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
28-vjeçari është larguar në drejtim të Kosovës pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte 2 ditë pushimi, duke mos njoftuar fare eprorët e tij për daljen jashtë kufijve.
Ai prej rreth 3 vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa edhe më herët është marrë me transport të mallrave nga Shqipëri në vende të Evropës dhe Britani të Madhe, dhe anasjelltas, te emigrantët shqiptarë atje.
Sasia e konsiderueshme e parave që iu sekuestrua prej 1 milion eurosh, dyshohet se mund t’i përkas tjetër kujt, të ardhura nga aktivitetet kriminale, dhe Kaziu e 2 personat e tjerë po i sillnin në mënyrë të paligjshme.
Në vijim pritet kontakt me autoritetet kosovare për sqarimin e rrethanave të plota të përfshirjes së policit Kaziu.
