Paqja dhe Siguria, Energjia, klima dhe situata ekonomike do të jenë pjesë e takimit të nesërm të Komunitetit Politik Evropian në Pragë të Çekisë.
Tryeza nis punimet në orën 13:00 dhe mbyllet me konferencën për mediat pas orës 19:30. Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE-së. Pjesë e takimit do të jetë edhe Kosova, me përfaqësuese presidenten Vjosa Osmani, Shqipëria, me Edi Ramën, Britania e Madhe dhe Ukraina.
Gjatë këtij takimi do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.
Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Pjesëmarrësit e ftuar në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian janë: Kosova, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe presidenti i Komisionit Evropian dhe ai i Këshillit Evropian.

Çfarë pritet të ndodhë?
Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe të shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës.
Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...