Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë.
Në një postim në rrjetet sociale, MAS sqaron se “publikimi i tezës së provimit të lëndës gjuhë shqipe dhe letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cënon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore”.
“Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës”, theksoi MAS.
Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant.