Pse vaksina kundër COVID-19 është shumë e sigurt? - Gazeta Express
string(48) "pse-vaksina-kunder-covid-19-eshte-shume-e-sigurt"

Pse vaksina kundër COVID-19 është shumë e sigurt?

OP/ED

Gazeta Express

07/12/2020 14:13

Çdo trajtim mjekësor në vete përmban një dozë rreziku, vlen për trajtimet me medikamente njësoj sikur edhe për intervenime kirurgjike.

Një tabletë e rëndomtë kundër dhimbjes, nëse përdoret çdo ditë për një kohë më të gjatë, mund të shkaktojë irritim dhe varrë në lukth, por mund të shkaktojë edhe infarkt në zemër, si dhe stroke.

Lexo Edhe:

Si doktorë këto dilema i kemi përditshmëri në punën tonë. Rreziqet i matim rregullisht dhe i krahasojmë me përfitimet. Kur të përshkruajmë një bar, e vëmë në peshore; çka përfitojmë dhe çka rrezikojmë. Sa është i madh rreziku që ky pacient po i ekspozohet kaq shumë rrezatimit gjatë ekzaminimit dhe ku është dobia? A është i motivuar rreziku? E njëjta gjë vlen edhe kur kemi të bëjmë me vaksinën. Ardhja deri te një vaksinë është një proces shumë i kushtueshëm dhe i rregulluar në detaje. Në fillim kalon nëpër një fazë të quajtur faza paraklinike, në të cilën vaksinat eventuale testohen në laboratorë. Pas kësaj, vaksina eventuale kalon nëpër fazat e ndryshme, të cilat janë mirë të dokumentuara nga përvojat e mëhershme. Në secilën fazë të re rritet numri i personave të cilët testojnë vaksinën. Krejt kjo e rregulluar deri në detajet më të vogla. Shumë njerëz janë pak të frikësuar për faktin se kjo vaksinë, pra kundër COVID-19, është zbuluar në afat rekord, dhe këtë e kuptoj. Mirëpo, është mirë të dihet se kjo vaksinë nuk e ka kapërcyer asnjë fazë të zhvillimit të saj dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat që kanë kaluar vaksinat tjera, si dhe medikamentet tjera që marrin licencën për të dalë në treg. Për mua personalisht, është fantastike se si bota e shkencëtarëve të fushës ka arritur një mobilizim kaq të madh dhe se si kanë arritur ta zbulojnë një vaksinë në afat rekord deri më tani.

Personalisht nuk do të hezitoj as edhe një sekondë që të vaksinohem. Për faktin se:

1.            Do të jem vetë e mbrojtur.

2.            Do t’i mbroj të dobëtit, p.sh. ata që nuk do të mund ta marrin vaksinën për shkak të imunitetit të dobët që kanë, si pasojë e HIV/AIDS ose të kimioterapisë që përdorin në luftën kundër kancerit. Ky është i ashtuquajturi imunitet i tufës përmes vaksinimit.

3.            A ka kontraindikacione? Ka, mirëpo kontraindikacione serioze ka ekstrem pak dhe janë mirë të dokumentuara dhe të faktuara. Pra, vaksina është shumë e sigurt.

Me kohë skepticizmi kundër vaksinimit fatkeqësisht është në rritje e sipër, dhe për mua si mjeke është shumë shqetësuese.

Efektin e zvogëlimit të frekuencës së vaksinimit ndoshta nuk do ta vërejmë direkt, mirëpo do të marrë disa vite. Kjo do të ndikojë që sëmundje të rrezikshme të shpërndahen në mesin tonë dhe viruset të jenë më rezistues dhe të qarkullojnë lirshëm në mes nesh.

Për mua kjo vaksinë do të jetë diçka që as nuk do të mendoj dhe do të vaksinohem. Jo, ndoshta, se vetë kam nevojë për të, por për t’i ruajtur ata që kanë nevojë për të, por nuk mund t’i marrin për arsye të lartpërmendura.

Kjo vaksinë do të duhej të jetë e pakontestueshme dhe ne duhet të kemi besim tek ekspertët e fushës, të cilët janë ekspertë dhe kompetentë dhe të mos jetë objekt diskutimesh i njerëzve që në fakt nuk janë kompetent dhe nuk posedojnë njohuri minimale për këtë lëmi.

Dr. Laura Arifi

Spitali Universitar, Malmö