Pse Kosova ende s’i ka përdorur testet e dhuruara nga Serbia, flet Ministria e Shëndetësisë - Gazeta Express
string(118) "pse-kosova-ende-si-ka-pe%cc%88rdore%cc%88-testet-e-dhuruara-nga-serbia-flasin-nga-ministria-e-she%cc%88ndete%cc%88sise"

Gentiana Hasani

16/06/2020 15:04

Pse Kosova ende s’i ka përdorur testet e dhuruara nga Serbia, flet Ministria e Shëndetësisë

Gentiana Hasani

16/06/2020 15:04

Javë më parë shteti i Serbisë dhuroi një kontingjent prej 1000 testesh me qëllimin që të ndihmojë shtetin e Kosovës në betejën kundër pandemisë COVID-19. Ky donacion ngjalli debat të madh nëse ato teste duheshin pranuar në Kosovë ose jo. Në këtë mes flitej edhe për mënyrën se si këto teste për COVID-19 kishin hyrë në Kosovë përmes Doganës. Por ka disa javë qëkur ato teste janë duke qëndruar në frigoriferë. Ato nuk janë përdorur ende nga ana e shtetit të Kosovës.

Gazeta Express ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës nëse janë vënë në përdorim testet e ardhura nga Serbia javë më parë. MSH-ja ka pranuar se testet ende nuk janë përdorur.

E arsyetim për këtë punë është se atyre ende nuk iu ka ardhur rendi.

“Për shkak se ka teste të tjera të cilat janë duke u përdorur”, kanë deklaruar shkurt për Express zyrtarët e MSH-së.

Megjithëkëtë, bashkë me këto 1 mijë teste të ardhura nga Serbia javë më parë, Kosova ka në dispozicion 10 mijë teste të cilat zbulojnë nëse personi është i prekur nga Covid-19. E 10 mijë teste të tjera pritet të merren gjatë kësaj jave.

“IKSHPK ka teste te mjaftueshme për momentin për të kryer testimet e nevojshme sipas indikacioneve te përcaktuara nga ky institut. Ka rreth 10 mije teste në dispozicion dhe po aq të tjera që pritet të merren këtë javë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë Gazetës Express.

Megjithatë, testet nga Serbia arritën në Kosovë në fundin e muajit prill.

Ndërkaq, 1.000 testet e ardhura donacion nga Serbia për COVID-19 i shtynë qytetarët e politikanët në polemika politike e patriotike. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se donacioni i testeve për koronavirus nga ana e Serbisë “është gjest që nuk duhet të politizohet”.

Në një konferencë për media, Kurti sa ishte kryeministër i vendit pati deklaruar se Kosova e ka dëshmuar që nuk bën dallime midis qytetarëve sipas komunës, partisë, moshës, gjinisë, fesë apo përkatësisë etnike.

Ai pati thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të vendosin se si t’i përdorin të gjitha testet në dispozicion të Kosovës.

“Ne nuk po bëjmë diskriminim dhe jam i bindur që nëse Kosova do të refuzonte të pranonte këto teste, do të akuzohej për sjellje joracionale dhe politizim të një gjesti i cili nuk është i tillë. Pra, nuk duhet të pranohet si politik dhe nuk duhet t’iu ndihmojmë atyre që dhuruan 1 mijë teste për qëllime politike”, kishte thënë Kurti, duke shtuar se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të madh rajonal në luftën e përbashkët kundër pandemisë.

E opozita në Kosovë e ka kritikuar Qeverinë për pranimin e kësaj ndihme nga Serbia, duke e akuzuar atë që i lejoi Serbisë një promovim të mirë në botë.

Në anën tjetër, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë. Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement