Bexheti: Relativizimi i statusit të shqipes, krizë e përfaqësimit politik shqiptar - Gazeta Express
string(80) "bexheti-relativizimi-i-statusit-te-shqipes-krize-e-perfaqesimit-politik-shqiptar"

Maqedoni

Gazeta Express

16/03/2026 10:17

Bexheti: Relativizimi i statusit të shqipes, krizë e përfaqësimit politik shqiptar

Maqedoni

Gazeta Express

16/03/2026 10:17

 Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit rreth statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se debatet e fundit kanë nxjerrë në pah një problem më të thellë politik – mungesën e një qëndrimi të qartë nga përfaqësuesit aktualë shqiptarë në pushtet.

Sipas Bexhetit, sa herë që hapet çështja e statusit të gjuhës shqipe, bëhet e qartë se problemi nuk qëndron vetëm tek ata që historikisht e kanë kundërshtuar avancimin e saj, por edhe tek ata që sot pretendojnë se përfaqësojnë politikisht shqiptarët.

Ai i referohet deklaratave të fundit të ish-presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, i cili theksoi se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe se cenimi i ligjit që rregullon përdorimin e saj mund të krijojë probleme serioze.

Në të njëjtën kohë, sipas Bexhetit, disa deklarata nga figura politike shqiptare kanë krijuar paqartësi dhe relativizim të statusit të saj. Ai përmend deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare që tani po rrezikohet, duke shtuar se nuk ekziston ligj për përdorimin e gjuhës shqipe.

Bexheti thekson se këto deklarata janë mbështetur edhe nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili ka thënë se Kurti “e ka thënë të vërtetën”. Ndërkohë, sipas tij, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi e ka ulur edhe më shumë peshën institucionale të shqipes duke e quajtur atë “gjuhë të përkthyer”.

“Paradoksi është se sipas këtyre deklaratave, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut po u del se gjuhën e tyre duhet ta mbrojë një ish-president maqedonas, ndërsa vetë përfaqësuesit shqiptarë në pushtet merren me relativizimin e statusit të saj”, thekson Bexheti.

Ai vlerëson se kjo situatë nuk është vetëm një mospërputhje politike, por një krizë e thellë e përfaqësimit politik shqiptar.

“Kur përfaqësuesit shqiptarë nuk flasin qartë dhe pa ekuivok për statusin e gjuhës shqipe, ata nuk e mbrojnë atë, por relativizojnë edhe rrezikun nga abrogimi i mundshëm i pozitës së saj nga Gjykata Kushtetuese”, deklaron deputeti i BDI-së.

Sipas tij, gjuha shqipe nuk është favor i askujt dhe nuk mund të trajtohet si dekor protokollar apo si “gjuhë e përkthyer”. “Shqipja është fituar me sakrificë dhe është çështje dinjiteti, barazie dhe pozicioni kushtetues”, thekson Bexheti.

Në fund, ai shton se problemi për gjuhën shqipe nuk është vetëm kush e sulmon, por edhe kush nuk e mbron.

“Sot pikërisht këtu shihet nënshtrimi politik i përfaqësuesve të VLEN-it: erdhën me premtime për dinjitet dhe barazi, por kur u desh të mbrojnë shqipen, zgjodhën relativizimin në vend të qëndrimit”, përfundon reagimi i deputetit të BDI-së.

Advertisement
Advertisement
Advertisement