Kush në Serbi e fiton shtetësinë me procedurë të përshpejtuar, e kush pret me vite për ta marrë atë?
Këtë pyetje e parashtron rusja Olga Suslova, e cila po pret që ta marrë shtetësinë serbe për më shumë se dy vjet.
Ajo jeton në Novi Sad me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj që nga viti 2013. Anëtarët e familjes së saj kanë pasaportë serbe, ndërsa Olga ende është në pritje.
Shtetësia e Serbisë mund të fitohet në dy mënyra – përmes procedurës së rregullt ose në bazë të një vendimi të Qeverisë, me procedurë të përshpejtuar.
Një analizë e realizuar nga Radio Evropa e Lirë (REL) tregon se vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë e kanë marrë shtetësinë serbe me vendim të Qeverisë, ndërsa që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, më shumë se 300 persona e kanë fituar atë në këtë mënyrë.
Mes tyre, sipas analizës që REL-i u bëri vendimeve qeveritare, ka pasur edhe individë që ndodhen nën sanksione ndërkombëtare.
“Ndihem shumë në siklet. Sidomos kur lexoj se sa shumë rusë po marrin shtetësinë serbe”, thotë Olga Suslova në një bisedë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB) nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa kërkesa të papërpunuara të shtetasve rusë për pajisje me pasaportë serbe ka aktualisht.
“E gjithë jeta jonë është këtu. Kemi banesë, veturë dhe punë të përhershme. Gjithçka e bëj sipas ligjit. Serbinë e konsideroj vendin tim”, thotë Suslova.
Së bashku me bashkëshortin e saj, Stanislavin, ajo në Serbi drejton shoqatën humanitare “Pëllumbi i Paqes”, e cila ndihmon refugjatët nga Ukraina që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të pushtimit rus.
Olga Suslova ka kërkuar që ta fitojë shtetësinë përmes procedurës së rregullt, duke paraqitur kërkesën në MPB-në serbe.
Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me rastin e saj.
“Dikush e merr shtetësinë ‘dhuratë’, ndërsa ne që jetojmë jetën tonë këtu, që paguajmë taksa dhe kontribute këtu dhe që vërtet e konsiderojmë Serbinë shtëpinë tonë, nuk mund të marrim as përgjigje. Çfarë tjetër duhet të bëj që ta meritoj shtetësinë?”, thotë ajo.
Bashkëshorti dhe fëmijët e Olgës aplikuan për shtetësi në vitin 2021 dhe e morën atë brenda pak muajsh.
Ligji në Serbi parashikon se një shtetas i huaj që është i martuar me një shtetas të Serbisë për të paktën tre vjet mund ta fitojë shtetësinë serbe, nëse paraqet një deklaratë me shkrim se e konsideron Serbinë shtetin e vet.
Mbi këtë bazë, në prill të vitit 2024, Olga paraqiti kërkesën për fitimin e shtetësisë.
Që atëherë, ajo është në pritje të një përgjigjeje.
“Unë shkoj rregullisht në MPB. Pyes se çfarë po ndodh”, tregon Olga.
Në ligj nuk është përcaktuar qartë afati brenda të cilit autoritetet kompetente duhet t’i përgjigjen një kërkese për shtetësi.
“Nuk kam asnjë informacion se sa kohë duhet të pres ende. Në ligj flitet për një afat të arsyeshëm. Nuk e di, por mendoj se kjo nuk është më një kohë e arsyeshme pritjeje”, shton ajo.
Bashkëshorti i Olgës, Stanislav Suslov, thotë se nuk mund të ndihet i qetë derisa ajo të marrë shtetësinë.
“Pavarësisht se Olga ka leje qëndrimi të përhershme në Serbi, kurrë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë nesër. Po sikur të ndryshojë ndonjë ligj? Ne, si shtetas të Serbisë, jemi të mbrojtur, ndërsa bashkëshortja ime nuk është”, shprehet ai.
Përveç pasigurisë që ndien për shkak se ende nuk ka shtetësinë e vendit ku jeton, Olga thekson se kjo përbën pengesë për të edhe në aspektin profesional.
“Kjo do të thotë se për disa vende pune nuk mund as të aplikoj. Disa licenca që dua t’i marr, nuk mund t’i siguroj”.
Si shtetase ruse, Olga nuk mund të udhëtojë për pushime me familjen e saj në vendet e Bashkimit Evropian, sepse për hyrje i nevojitet vizë.
“Fëmija im nuk mund të udhëtojë askund, sepse nuk dëshiron të shkojë pa mamanë. Është ende e vogël, i ka 10 vjet”, shton Olga.
Olga dhe bashkëshorti i saj u larguan nga Rusia në vitin 2012. Ajo thotë se “e futën gjithë jetën tonë në bagazhin e një makine” dhe u nisën me fëmijët.
“Atëherë askush nuk po largohej nga Rusia dhe të gjithëve u dukej shumë e çuditshme pse po e bënim këtë, pasi kishim shtëpinë tonë dhe biznesin tonë. Megjithatë, bashkëshorti im që atëherë kishte ndjesinë se atje do të ndodhte diçka e keqe dhe se duhej të largoheshim nga Rusia”, thotë Olga.
Që atëherë, ajo ka qenë vetëm dy herë në Rusi. Herën e fundit e vizitoi Rusinë në vitin 2017.
“Nuk do të kthehem në Rusi. Kjo nuk vjen në shprehje. Nuk kam nevojë të shkoj atje. Nuk kam asgjë më atje”, thekson Olga.
Përveç rusëve të cilëve Qeveria e Serbisë ua jep shtetësinë duke vlerësuar se një vendim i tillë është “në interes” të vendit, ka edhe të tillë të cilëve shteti serb ua ka mohuar qëndrimin me arsyetimin se përbëjnë “rrezik për sigurinë”.
Më së shpeshti bëhet fjalë për aktivistë kundër luftës, të cilët kanë ardhur në Serbi pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Njëri prej tyre është edhe Vladimir Volokhonski, disident rus dhe aktivist kundër luftës. Ai arriti në Beograd në maj të vitit 2022, pas presioneve dhe përndjekjes në vendin e tij.
Së bashku me aktivistë të tjerë kundër luftës në Serbi, ai ka themeluar organizatën joqeveritare “Shoqëria Demokratike Ruse” dhe ka marrë pjesë në protestat kundër agresionit rus në Ukrainë.
Në kryeqytetin e Serbisë ai qëndroi deri në shtator të vitit 2023, kur u detyrua ta largohej nga vendi, pasi MPB-ja serbe ia anuloi lejen e përkohshme të qëndrimit.
Volokhonski në atë kohë i tha REL-it se policia ishte mbështetur në vlerësimet e Agjencisë për Informim të Sigurisë (BIA), sipas të cilave qëndrimi i tij në Serbi përbënte “rrezik të papranueshëm për sigurinë”.
Për këtë rast, REL-i në atë kohë nuk kishte marrë përgjigje nga BIA.
Volokhonski i hodhi poshtë akuzat, duke vlerësuar se vendimi për dëbimin e tij ishte “politik”.
Në atë kohë në krye të BIA-s ishte Aleksandar Vulin, politikan serb, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbia.
Serbia filloi të ndërmarrë masa kundër aktivistëve rusë kundër luftës pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj Vulinit në korrik të vitit 2023, ndër të tjera për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Volokhonski sot jeton në Gjermani dhe në një bisedë me REL-in thotë se pavarësisht të gjitha, me “ngrohtësi” e kujton kohën që ka kaluar në Serbi.
Megjithatë, shton ai, nuk e gëzon fakti kur sheh se njerëz që lidhen me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, marrin shtetësi serbe.
I pyetur nëse do të kthehej ndonjëherë në Serbi, ai thotë se do të donte ta kalonte pleqërinë atje.
“Për momentin, megjithatë, më është ndaluar hyrja në vend”, thotë ai.
Në të njëjtën kohë me Volokhonskin, Serbia ia ka mohuar qëndrimin edhe Yevgeny Irzhanskyt. Edhe për të arsyetimi ishte se kishte “pengesa të sigurisë”.
Irzhansky kishte shkuar në Serbi në prill të vitit 2022 dhe në Beograd, ndër të tjera, merrej me organizimin e koncerteve të bendeve kundër luftës nga Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina.
Një mesazh të ngjashëm mori edhe aktivisti kundër luftës Ilya Zernov, disa muaj më vonë. Atij, policia kufitare nuk i lejoi hyrjen në Serbi, edhe pse po udhëtonte për në Beograd nga Gjermania për të marrë pjesë në gjykimin lidhur me sulmin ndaj tij që kishte ndodhur më parë në kryeqytetin e Serbisë.
Në korrik të vitit 2024, Serbinë u detyrua ta lërë edhe Irina Tereh me bashkëshortin dhe djalin e saj, pasi MPB-ja i refuzoi dhënien e lejes së qëndrimit të përkohshëm. Edhe atëherë, arsyetimi ishte mbrojtja e sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj.
REL ka raportuar së fundi edhe për rastin e shtetasit rus Dmitrij Lagovski, për të cilin Rusia kërkon ekstradimin nga Serbia për shkak të dyshimeve për krime ekonomike.
Lagovski, i cili jeton në Serbi që nga viti 2022, mohon se ka kryer vepër penale dhe thotë se arsyeja e vërtetë është se Rusia dëshiron ta dërgojë atë në vijën e frontit në Ukrainë.
Gjykatat në Serbi e kanë miratuar ekstradimin e tij drejt Rusisë, por prej rreth gjysmë viti po pritet vendimi përfundimtar që e merr ministri i Drejtësisë. Megjithatë, nuk ekziston një afat ligjor brenda të cilit ai duhet ta nënshkruajë ose ta refuzojë vendimin.
Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Si kandidate për anëtarësim në BE, ajo ka detyrimin që deri në pranimin në bllok të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Brukselin./REL/