Sergio Agüero ka folur për një nga debatet më të mëdha në historinë e futbollit: krahasimin mes Lionel Messit dhe Diego Armando Maradonës.
Ish-sulmuesi i Argjentinës dhe një nga njerëzit më të afërt me Messin e ka dhënë mendimin e tij, duke e vendosur “pleshtin” në majën e futbollit botëror.
“Për mua Messi është më i miri i të gjitha kohërave. Do të doja që ky debat të përfundonte, sepse Leo ka bërë gjëra që askush tjetër nuk i ka bërë”, është shprehur Agüero, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, ish-futbollisti i Manchester Cityt e ka theksuar edhe madhështinë e Maradonës, duke e respektuar trashëgiminë e një prej figurave më të rëndësishme të futbollit argjentinas.
“Maradona ishte një legjendë, një lojtar unik që ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme. Por secili e ka epokën e tij dhe për mua Messi është në një nivel tjetër”, ka shtuar Agüero.
Debati Messi apo Maradona ka qenë një temë e vazhdueshme në Argjentinë dhe në botën e futbollit, sidomos pas triumfit të Messit në Kupën e Botës, një trofe që e afroi edhe më shumë me statusin e legjendës së Maradonës.
Agüero, i cili ka ndarë shumë momente me Messin te kombëtarja argjentinase, beson se arritjet, vazhdimësia dhe ndikimi i numrit 10 e vendosin atë në krye të historisë së futbollit. /Gazeta Express