Hetimet për zjarrin tragjik që përfshiu lokalin “Le Constellation” në qendrën turistike të skijimit në Crans-Montana kanë marrë një kthesë të re. Bashkëpronarja e lokalit, Jessica Moretti, është përballur me një akuzë shtesë për falsifikim dokumentesh, krahas akuzave ekzistuese për vrasje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia, shkruan The Local, transmeton albinfo.
Jessica dhe bashkëshorti i saj, Jacques Moretti, janë nën hetim që nga tragjedia e natës së Vitit të Ri, kur një zjarr shkatërrues në lokalin e tyre shkaktoi vdekjen e 41 personave dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve. Shumica e viktimave ishin të rinj që po festonin ndërrimin e viteve.
Sipas prokurorëve, akuza e re lidhet me një faturë të dyshuar si e falsifikuar, e cila mund të ketë rëndësi në hetimet për kushtet e sigurisë dhe menaxhimin e lokalit. Avokatët e Jessica Moretti kanë mohuar çdo shkelje, duke insistuar se klientja e tyre është e pafajshme.
Çifti Moretti u paraqit sërish para prokurorëve në Sion këtë javë, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe sqarime për rrethanat që çuan në një nga tragjeditë më të rënda në historinë moderne të Zvicrës.
Hetimet po shqyrtojnë jo vetëm përgjegjësinë e pronarëve, por edhe rolin e autoriteteve lokale, pasi është zbuluar se lokali nuk ishte inspektuar për sigurinë kundër zjarrit për disa vite para katastrofës.