Prokuroria: Milan Radojçiq i akuzuari kryesor në rastin Banjska - Gazeta Express
string(62) "prokuroria-milan-radojciq-i-akuzuari-kryesor-ne-rastin-banjska"

Prokuroria: Milan Radojçiq i akuzuari kryesor në rastin Banjska

Lajme

Gazeta Express

11/09/2024 12:48

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se i akuzuar kryesor është edhe Milan Radojçiq.

Lexo Edhe:

“Kemi realizuar 65 intervista, janë analizuar 150 pajisje elektronike, mbi 1 mijë armë, dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë rast. Kemi hasur në disa sfida të bashkëpunimit. Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast, ka qenë shtytësi kryesor ta tejaklojmë këtë sfidë. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga grumbullimi i grupit. Ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiq që ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa në shtete të ndryshme ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të ndryshme. Këto kërkesa kanë qenë jetike për të siguruar burimet e financimit, për ngritjen e aktakuzës së fuqishme”, tha Abazi.

“Kemi sekuestruar prona, automjete të blinduara, llogari bankare, të cilat janë fituar nga aktivitete të paligjshme, janë konfiskuar mbi 1 mijë armë. Ky veprim ka për qëllim të parandalojë veprimin e këtyre aktiviteteve. Fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve duke përfshirë biznese të regjistruar në emër të personave të tretë. Gjurmimi ka kërkuar analizë të detajizuar. Nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të mbahen përgjegjës, kjo nuk është vetëm betejë ligjore. Presim që ky rast të shërbejë paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë ta shkelin ligjin e rrezikojnë sigurinë publike në Kosovë”, deklaroi ai.