Përdorues të shumtë kanë raportuar probleme me disa prej shërbimeve të Microsoftit, përfshirë platformën e emailit Outlook dhe chatbot-in me inteligjencë artificiale, Copilot.
Microsofti është përballur me raportime për ndërprerje dhe vështirësi teknike në disa prej platformave të tij.
Sipas përdoruesve, problemet kanë prekur kryesisht Outlook-un, shërbimin e emailit të kompanisë, si dhe Copilot-in, mjetin e saj me inteligjencë artificiale.
Faqja “DownDetector”, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve teknologjike, tregoi se raportimet për Outlook-un nisën pak pas orës 07:00 të së premtes dhe u shtuan gjatë paradites.
Probleme me hyrjen dhe dërgimin e email-eve
Në kulmin e raportimeve, pak para orës 09:00, afro 100 përdorues kishin deklaruar se po përballeshin me probleme në përdorimin e emailit.
Rreth 25 për qind e tyre raportuan vështirësi gjatë hyrjes në llogari, ndërsa 43 për qind thanë se nuk po arrinin të dërgonin mesazhe.
Problemet duket se nuk kanë prekur të gjithë përdoruesit, por numri i raportimeve ishte i mjaftueshëm për të ngritur shqetësime për një ndërprerje më të gjerë.
Edhe Copilot me vështirësi
Më pak raportime pati për Copilot-in, megjithatë rreth 30 përdorues deklaruan se po hasnin probleme me këtë mjet.
Afro 63 për qind e tyre thanë se vështirësitë lidheshin me faqen e internetit të Copilot-it.
Një numër i vogël përdoruesish raportuan probleme edhe me Microsoft 365.
Shërbimet e tjera nuk duket se janë prekur
Platforma të tjera të kompanisë, si Microsoft Store dhe Microsoft Azure, nuk duket se kanë pësuar ndërprerje të përhapura.
Në momentin e raportimit, Microsofti nuk kishte publikuar ende një deklaratë zyrtare për shkaqet e problemeve apo kohën e pritshme për rikthimin e plotë të shërbimeve. /GazetaExpress/