Vëmendja kryesore mbetet tek shtëpia më e famshme në vend, por një ngjarje e pakëndshme raportohet të ketë prekur jetën private të opinionistes së këtij edicioni, Leonora Jakupi. Ndërsa ajo vazhdon angazhimin e saj të rregullt çdo javë në panelin e “Big Brother VIP Kosova 4”, është mësuar se këngëtarja është përballur me një situatë serioze larg kamerave.
Burime të sigurta për Prive By Liberta Spahiu konfirmojnë se shtëpia e saj ka qenë cak i disa personave të paautorizuar disa javë më parë. Ky incident, përveç dëmeve materiale, ka shkaktuar edhe shqetësim për të, ndonëse ajo ka zgjedhur të vazhdojë punën në ekran pa e reflektuar këtë situatë gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta.
Çështja tashmë është nën hetim nga organet e rendit, të cilat po punojnë për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar personat e përfshirë. Kjo nuk është hera e parë që një opinioniste e këtij formati përballet me raste të tilla gjatë sezonit; kujtojmë se një situatë e ngjashme i kishte ndodhur edhe Afërdita Paqaradës në edicionin e parë. / Prive By Liberta Spahiu