Sigal Prishtina dhe Trepça kanë qenë dy prej skuadrave më të mira në basketbollin e pasluftës.
Dhe, pikërisht dy rivalët e moçëm do të përballen mes vete në gjysmëfinale të “play-offit” të Superligës së basketbollit.
Bardhekaltrit e mbyllën sezonin e rregullt si liderë dhe do ta kenë përparësinë e terrenit vendës, shkruan “Gazeta Express”.
Pra do ta luajnë në shtëpi lojën e pestë eventuale, pasi siç dihet, në gjysmëfinale dhe në finale triumfon ekipi që i fiton tri lojë.
Janë pikërisht këto dy skuadra që kanë fituar trofe në këtë sezon: prishtinasit triumfuan në Superkupë, ndërsa mitrovicasit në Kupë, duke e mundur në finale pikërisht njëra-tjetrën.

Në garat e rregullta të Superligë, bardhekaltrit përfunduan në pozitën e parë me 22 fitore e gjashtë humbje, kurse ‘Xehetarët’ në vendin e katërt me 17 fitore e 11 humbje.
Në pesë duelet e fundit, kryeqytetasit prijnë me katër fitore karshi një fitore të mitrovicasve.
Prishtinasit e kanë fituar titullin e kampionit për herë të fundit në vitin 2019, ndërsa Trepça në vitin e largët 2012.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës do të luhet sonte në kryeqytet duke filluar nga ora 20:30. /Gazeta Express/