Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë do të jetë sonte qendra e volejbollit evropian, pasi përfaqësueset e Kosovës në konkurrencën e femrave dhe meshkujve do të zbresin në parket në kuadër të CEV Volleyball European League.
Programi i ditës hapet në orën 17:00, kur Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave do të përballet me Hungarinë në një ndeshje të rëndësishme për vazhdimësinë e garës.
Më pas, nga ora 20:00, radha do t’i vijë përfaqësueses së meshkujve, e cila do të ketë përballë Izraelin në një tjetër sfidë interesante para publikut vendas.
Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ndërsa hyrja për tifozët do të jetë falas.
Federata e Volejbollit e Kosovës ka ftuar sportdashësit që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh për t’i mbështetur ekipet kombëtare në këto përballje të rëndësishme ndërkombëtare.