Ndeshje tejet interesante na presin këtë vikend në xhiron e 20-të të Superligës në basketboll.
Kryendeshja zhvillohet në kryeqytet, Sigal Prishitna e pret Pejën.
Vetëm një pikë është dallimi mes tyre, më mirë qëndrojnë pejanët me 14 fitore e pesë humbje të dytit, derisa prishtinasit të tretit me 13 fitore e gjashtë humbje. Në duelet direkte, secili ekip ka nga një fitore të realizuar dhe interesante është se secila ka fituar në udhëtim, shkruan Gazeta Express.
Kjo përballje do të zhvillohet të shtunën nga ora 17:00. Po atë ditë, por dy orë më vonë, Bashkimi e pret Trepçën.
Të dy ekipet janë në formë dhe synime krejt të ndryshme. Mitrovicasit nuk dinë për humbje tash e 12 xhiro dhe janë bindshëm lider me 17 fitore e dy humbje.
Në krahun tjetër, prizrenasit janë të gjashtit me shtatë fitore e 12 humbje. Trepça i ka fituar të dy ndeshjet direkte të këtij edicioni mes njëra tjetrës.
Të dielën, Golden Eagle Ylli e pret Proton Cable Prizrenin. Suharekasit kërkojnë fitoren e dytë me radhë, në tabelë janë të katërtit me 11 fitore e tetë humbje, derisa Prizreni nuk di për fitore që pesë ndeshje dhe janë të parafundit me pesë fitore e 14 humbje.
Takimi i fundit është mes Istogut e Vëllaznimit, me gjakovarët që shihen favorit në letër.
Kuq e zinjtë pas dy rezultateve negative kërkojnë të kthehen tek ato pozitive, derisa istogasit nuk kanë shijuar fitoren që një kohë të gjatë. Në klasifikim, Vëllaznimi është i pesti me tetë fitore e 11 humbje, derisa Istogu me vetëm një fitore e plotë 18 humbje.