Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking ia ka kërkuar 700,000 euro Komunës së Prishtinës për mbulimin e borxheve të ndërmarrjes, që sipas udhëheqësve të saj, është në krizë të thellë.
Në fund të muajit të kaluar Ndërmarrja përmes një letre drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, ndër të tjera ia ka kërkuar 150,000 euro për ta mbuluar qiranë për objektin ku ndodhet në Lakrishte.
“Sot, ndërmarrja bart një borxh total prej rreth 900,000.00 €, i strukturuar si vijon: 1. Rreth 300,000.00 € janë obligime të papaguara që lidhen me projektin e digjitalizimit. Ndërmarrja, në bashkëfinancim me Komunën, ka investuar rreth 1 milion € në digjitalizimin dhe furnizimin me internet të Smart City, nga të cilat rreth 700,000.00 € janë paguar tashmë, ndërsa pjesa e mbetur ka mbetur si detyrim….2. Rreth 150,000.00 € janë detyrime nga qiratë (zyra dhe parkingu në rrugën “Rinia”). 3 Rreth 100,000.00 € janë detyrime ndaj Policisë së Kosovës. 4. Rreth 55,000.00 € janë detyrime për sigurim shëndetësor, të papaguara që nga muaji gusht 2025. 5. Pjesa tjetër përbëhet nga detyrime ndaj operatorëve dhe kontraktorëve të ndryshëm”, thuhet në letrën e Prishtina Parking drejtuar kryetarit Rama.
Kjo ndërmarrje doli nga objekti publik në emër të kushteve më të mira në një objekt privat.
E Amir Kozmaqi, ushtrues detyre i kryeshefit të Prishtina Parking ka thënë se çmimi që paguajnë për zyre në objektin privat në Lakrishtë është i njëjti me atë që kanë paguar sa ishin në Pallatin e Rinisë.
“Si ndërmarrje, deri në gusht të vitit 2024 kemi qenë të vendosur në zyra me qira në Pallatin e Rinisë, me një çmim për metër katror të njëjtë me atë që paguajmë aktualisht në objektin me pronësi private. Ndryshimi i objektit ka ardhur si domosdoshmëri, pasi hapësirat në Pallatin e Rinisë nuk i plotësonin kushtet elementare për zhvillimin e punës, duke përfshirë mungesën e ndriçimit natyral, ajrimit dhe kushteve të tjera bazike. Për këtë kemi pranuar edhe rekomandime nga Inspektorati i Punës, i cili ka konstatuar se objekti nuk i përmbush standardet e nevojshme për zhvillimin e aktivitetit dhe, si rezultat i kësaj, për rreth 25% të hapësirës që kemi shfrytëzuar, Inspektorati ka urdhëruar mbylljen e tyre”, ka thënë Kozmaqi.
E i pyetur nëse është kërkuar zgjidhje për qira më të lirë nga kryetari Përparim Rama dhe Ndërmarrja Publike Banesore që ka prona të zbrazëta edhe në qendër të kryeqytetit, Kozmaqi ka thënë se kanë preferuar që të gjitha zyrat t’i kenë në një vend të vetëm.
“Sa i përket mundësisë për t’u vendosur në hapësira të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), theksojmë se, bazuar në vlerësimet tona, NPB nuk ka pasur në dispozicion hapësira të mjaftueshme për të akomoduar të gjithë stafin administrativ në një lokacion të vetëm, gjë që ka qenë një nevojë funksionale për ndërmarrjen”, ka thënë ai.
Në fakt, për tre vjet, vetëm shuma e qirave arrin thuajse vlerën e kërkuar nga komuna – që është 700.000 euro.
Në vitin 2023, kjo ndërmarrje ka paguar për qira 198,485 euro, më 2024 – 266,206 euro dhe më 2025 – 189,477 euro. Gjithsej 654,170 euro.
Në kërkesën e u.d kryeshefit të Prishtina Parking drejtuar kryetarit të Prishtinës thuhet se ndërmarrja është në krizë, pasi inkasimi real i të hyrave “është ndërprerë në mënyrë të menjëhershme si pasojë e vendimit të Gjykatës Supreme”, e cila ka vendosur muaj më parë se PP-ja nuk mund të vendosë gjoba ndaj qytetaëve e as bllokada për veturat e tyre.
“Në periudhën rreth pesë mujore pas këtij vendimi, ndërmarrja ka pësuar rënie të inkasimit deri në rreth 70%, duke humbur rreth 1.2 milion € potencial të të hyrave (sipas një analize të brendshme) nga maji 2025 e deri më tani. Kjo humbje ka shkaktuar një ndërprerje të ciklit financiar që ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në qëndrueshmërinë e ndërmarrjes”, thuhet në letrën dërguar Ramës.
Megjithatë Prishtina Parking vazhdon të shqiptojë gjoba përmes inspektorëve komunalë.
Organizata Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se gjobat 30-euroshe që i shpërndan ndërmarrja komunale janë të kundërligjshme.
E ndërmarrja pretendon se nuk po i shqipton ato, por vetëm po i asiston Inspektoratit të kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigjeje në pyetjen e KOHË-s nëse do ta aprovojë ose jo kërkesën e kësaj ndërmarrje.
Në situatë jo të favorshme janë edhe ndërmarrjet e tjera komunale.