Prishtina dhe problemet e rivitalizimit, si zgjidhet kjo punë? - Gazeta Express
string(60) "prishtina-dhe-problemet-e-rivitalizimit-si-zgjidhet-kjo-pune"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

01/09/2025 12:26

Prishtina dhe problemet e rivitalizimit, si zgjidhet kjo punë?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

01/09/2025 12:26

Shkruan: Halil Gashi

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Problemi i rivitalizimit të objekteve kolektive nuk është vetëm teori, e as vetëm kauzë elektorale, por është realitet i hidhur i Prishtinës. Nëse ecni nëpër lagjet e kryeqytetit, mund të rastisni në ndërtesa të mbetura gjysmë, të shndërruara në fantazma urbane. E gjithë kjo, si shkak i indiferencës së pushteteve të shkuara tash e dy dekada.

“El Arkitekto” përgjatë këtyre katër viteve, përkundër që thirrej në kartën e arkitektit përgjatë fushatës elektorale e qeverisjes, s’u mor asnjë gram me problemin që derivon pikërisht nga fusha e arkitekturës. Meqë unë vij nga bota e biznesit dhe jam i familjarizuar me këto probleme, kjo më ka bërë që të mos e lejoj veten të qëndroj duarkryq dhe t’i përcjell problemet e rivitalizimit të objekteve nga afër. Përgjatë këtyre ditëve kam dalë në terren, ku kam evidentuar disa raste të dështimit të operatorëve ekonomikë në rivitalizimin e objekteve si shkak i mosmbajtjes përgjegjës nga ana e Komunës së Prishtinës. Asnjë operator ekonomik nuk futet në biznes për të dështuar, por ja që biznesi ka rrisqet e veta dhe dështon. Barra më e madhe qëndron mbi menaxhmentin aktual të “El Arkitektos”, që për këto katër vite as s’i mbajti përgjegjës operatorët ekonomikë e as s’u bëri zgjidhje familjeve që ia kanë mësyrë strehimit në ato zona.

Gjatë këtyre ditëve, kam vizituar ndërtesën tetë katëshe në rrugën “Muharrem Fejza”. Përveç që kjo rrugë tashmë është bërë shëmbëlltyrë e ngecjes në komunikacion, segmenteve të pambaruara rrugore e problemeve esenciale si uji i pijshëm, ajo karakterizohet edhe me objekte fantazmë. Pamjet e ndërtesës tetë katëshe të boshatisur krijojnë ndjesi apokaliptike apo të ndonjë pandemie. Në vend që të kishte banorë e gjallëri, gjelbërim e parkingje përreth, ajo është e boshatisur dhe e “banuar” me mbeturina, material ndërtimor të pa futur në funksion. Pamjet që po na u transmetohen nga mediat botërore prej luftës në Ukrainë të ndërtesave të rrënuara, ‘El Arkitekto’ me neglizhencën e tij po na i përsërit me ndërtimin e vrazhdtë t’i shohim edhe në zemër të Prishtinës. ‘El Arkitekto’, s’shkon kështu!

 Përshkrim: Pamje nga video e realizuar nga objekti banesor i parivitalizuar në rrugën “Muharrem Fejza”

Në rrugën “Muharrem Çani” në lagjen “Mati 1” kam evidentuar nga terreni se si banorët e asaj zone me mjete vetanake kanë rivitalizuar një objekt me mjete vetanake. Rivitalizimi i objektit drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarit nënkupton kosto të madhe. Që i bie rivitalizim i pjesshëm, i kryer me mund dhe me sakrifica financiare, por jo sipas standardeve ndërtimore. Në pjesën e sipërme të objektit është një fasadë, që përbën rrezik serioz. Një shi i madh apo një tërmet i vogël mund të përfundojë në tragjedi. ‘El Architekto’, ruaja jetën dhe xhepin qytetarit!

Përshkrimi: Pamje nga videoja e realizuar nga objekti i rivitalizuar me mjete vetanake të qytetarëve në rrugën “Muhamet Çani”

Velania nuk mund të trajtohet vetëm si lagje. Ajo është pjesë e identitetit të kryeqytetit, me histori, gjelbërim dhe pozicion strategjik. Por sot, në vend që të jetë shembull i zhvillimit urban dhe i kujdesit institucional, Velania rrezikon të kthehet në simbol të harresës urbane. Në Velani kam evidentuar një objekt i cili prej vitesh është lënë në mëshirën e kohës. Ky objekt i braktisur në Velani është vetëm një ndër qindra rastet që flasin për mungesë të përgjegjësisë dhe vizionit. Në vend që të gjenden mekanizma ligjorë e praktik për të mbrojtur qytetarët nga këto pasoja ‘El Arkitekto’ zgjodhi heshtjen. Velania nuk meriton të jetë lagje e objekteve fantazmë, e banesave të papërfunduara dhe  premtimeve të pambajtura. Ajo meriton jetë, gjallëri dhe dinjitet.

Përshkrim: Pamje nga lagja “Velania” e objektit të parivitalizuar

Si zgjidhen këto probleme?

Problemi i objekteve të lëna në gjysmë nuk zgjidhet me heshtje, e as me zhagitje. Ai zgjidhet me vullnet politik dhe me instrumente ligjore që tashmë janë në dispozicion, por nuk po përdoren. Unë si asamblist i ardhshëm i Komunës së Prishtinës i kam prioritet disa veprime konkrete që duhen ndërmarrë pa humbur kohë:

1. Ndryshimet në Asamblenë Komunale të Prishtinës

Asambleja Komunale ka kompetencë të ndërhyjë duke bërë ndryshim-plotësim të akteve komunale për dhënien e lejeve ndërtimore. Me aktet ligjore të tanishme, një kompani mund të hapet me një kapital minimal, e të marrë leje ndërtimore për projekte shumëmilionëshe. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Ky është mekanizëm që i ofron garanci qytetarit për realizim të çfarëdo projekti.

2. Komisioni i veçantë i identifikimit të objekteve

Asambleja duhet të krijojë një komision të përhershëm, i cili evidenton të gjitha objektet e papërfunduara ose të braktisura në territorin e Prishtinës. Ky komision nuk duhet të mbetet thjesht forma; puna e tij është hartimi i një listë prioritare të ndërtesave që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e banorëve. Çdo raport i nxjerrë nga ky komision duhet të shoqërohet me detyrime ligjore për ndërmarrjet publike përgjegjëse dhe për udhëheqësit e kryeqytetit.

3. Përfshirja e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB)

Pas evidentimit, objektet e ngecura duhet të kalojnë nën menaxhim të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), e cila merr përsipër rivitalizimin dhe mirëmbajtjen e tyre në kuptimin afatgjatë. Ky nuk është hap i pamundur. Komuna tashmë ka ndërhyrë në të kaluarën në raste të ngjashme: në Ulpianë, pranë rrethit të Spitalit dhe në disa zona të tjera. Ajo çfarë mungon është vullneti dhe presioni institucional.

4. Fondi i veçantë i Komunës për rivitalizim

Duhet themeluar një fond i dedikuar për rivitalizimin e objekteve të mbetura gjysmë, ku një pjesë mund të financohet nga Komuna e Prishtinës, ndërsa pjesa e konsiderueshme mund të sigurohet edhe nga mekanizmat e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Novergjisë dhe ambasadat e shteteve mike të Kosovës, të cilat përgjatë këtyre viteve kanë dëshmuar në vazhdimësi dhe vazhdojnë të dëshmojnë mbështetjen financiare të projekteve, qoftë të nivelit lokal apo atij qëndror.

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Asamblistët e kaluar nuk e kanë pasur brengë qytetarin. Kanë bë zgjidhje për vete që të merret një rrogë për katër vite. Paramendojeni, mbi 40 për qind e Asamblistëve të Komunës së Prishtinës në mandatin e shkuar as që e kanë marrë fjalën për adresimin e problemeve të qytetarëve të Prishtinës. Kjo dukuri duhet të zhduket, menjëherë! A e dini pse? Sepse vlera e një Asamblisti në Prishtinë është sa gjysma e një deputeti të nivelit nacional. Asamblisti i Prishtinës duhet ta ndjejë përgjegjësinë e një deputeti! Prishtina meriton zë, qytetarët e Prishtinës meritojnë përfaqësim!