Prishtina – Ballkani, do të luajnë hapur apo mbyllur? Flasin akterët - Gazeta Express
string(64) "prishtina-ballkani-do-te-luajne-hapur-apo-mbyllur-flasin-akteret"

Prishtina – Ballkani, do të luajnë hapur apo mbyllur? Flasin akterët

Gazeta Express

28/02/2020 20:17

Ndeshja e së shtunës mes Prishtinës dhe Ballkanit pritet të jetë mjaft interesante pasi që të dyja klubet janë në garë për titullin e këtij sezoni. Ndihmëstrajnerët e të dyja skuadrave, Debatik Curri dhe Agim Maliqi, besojnë se djemtë e tyre do të luftojnë për rezultat pozitiv.

Prishtina e pret klubin nga Suhareka në stadiumin Fadil Vokrri, e vetëdijshme se humbja do të nënkuptonte një hap mbrapa në synimin e saj për ta fituar titullin e ligës për herë të parë pas vitit 2013, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ballkani është lider i Superligës me 40 pikë pas 19 ndeshjeve, e ndjekur nga Prishtina dhe Drita me nga tri pikë më pak dhe Gjilani më pesë pikë më pak, në një garë të nxehtë katërfrontëshe për titull.

Ndërkohë që grupi ultras i bardhekaltërve, Plisat, i kanë nisur përpjekjet për të grumbulluar sa më shumë tifozë të shtunën pasdite në stadiumin Fadil Vokrri, klubi nga Suhareka ka vendosur të akomodohet në Prishtinë një ditë më herët.  

Ndihmëstrajneri i Prishtinës, Debatik Curri, thotë se nuk pret që në këtë ndeshje të ketë shumë gola.

“Nuk mendoj se do të ketë shumë gola në këtë ndeshje. Mund të mos jetë ndeshje shumë e hapur. Ballkani s’do të mundë të luajë sikur kur luan në shtëpi për shkak se stadiumi Fadil Vokrri është shumë i madh. Por, ne do të tentojmë të bëjmë lojë të bukur e të hapur”, ka thënë Curri në “Favorit”, i cili gjithashtu ka treguar se Prishtinë nuk do ta ketë asnjë mungesë në skuadër për këtë ndeshje.

Në anën tjetër, ndihmëstrajneri i Ballkanit, Agim Maliqi, ka insistuar se Ballkani do të shkojë në Prishtinë për të sulmuar.

“Ne shkojmë në Fadil Vokrri. Ne nuk do të mbrohemi, nuk jemi mbrojtur as në ndeshjet kundër Dritës, Gjilanit e ekipeve të tjera. Synojmë të bëjmë lojë të bukur, që t’i kënaqim tifozët e pranishëm në stadium”, tha Maliqi në “Favorit”.

Të dy ndihmëstrajnerët kanë bërë të ditur se ndeshjen do ta nisin me shpresën për të marrë rezultat pozitiv, por kanë insistuar se kjo ndeshje nuk do ta vendosë garën për titull. /Gazeta Express/