Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaïfi, ka emocionuar opinionin publik me një deklaratë prekëse gjatë një interviste në emisionin “C à Vous”, ku foli për nënën e tij, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2019.
Në një moment të mbushur me emocione, Al-Khelaïfi u shfaq me lot në sy, duke ndarë një kujtim të thellë personal që lidhet me suksesin më të madh të PSG-së – fitimin e Ligës së Kampionëve, një ëndërr që kishte bashkë me të ëmën.
“Është shumë e vështirë për mua,” tha presidenti i klubit francez. “Ajo e dinte që ne do ta fitonim Ligën e Kampionëve… Ishte ëndrra ime dhe e saj e madhe. Ky trofe është për të.”
Al-Khelaïfi tregoi se nëna e tij gjithmonë lutej që Paris Saint-Germain të ngrinte trofeun më të rëndësishëm në futbollin evropian, një objektiv që klubi e arriti më në fund pas shumë viteve investimesh, përpjekjesh dhe zhgënjimesh.