Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme sulmet e dhunshme ndaj zyrtarëve të Qeverisë. Ka thënë se duhet dënuar sulmuesit me vezë të Zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.
Presidenti i Republikës ka thënë se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është i papranueshëm dhe i dënueshëm në demokracinë dhe shtetin që kemi ndërtuar. Tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike ka qenë dhe do të mbetet përherë e papranueshme dhe e dënueshme”, ka shkruar Thaçi në reagim.
Edhe Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se veprimet e opozitës nuk e shqetësojnë Qeverinë. I ka uruar punë të mbarë Avdullah Hotit, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi për Express.
Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.
“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje për T7. Shpjegimet tjera të Haradinajt mund t’i shikoni në lajmet qendrore në T7, në orën 19:30.
“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.
“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës./ Gazeta Express