Gjykata e Apelit ka dënuar me 21 vite burg Hektor Mahmutaj, për vrasjen e një fermeri në Fier në vitin 1997.
Mahmutaj ka qëndruar më shumë se 20 vite i fshehur në Britani të Madhe, ku kishte shkuar i fshehur në një kamion dhe përdorte 13 identitete të ndryshme.
Në korrik të vitit 1997 Mahmutaj qëlloi vrau Gentjan Jahaj, në vendin e quajtur “Kurrizi i Sinanit”, ku bëhet bashkimi i rrugës nacionale me rrugën e fshatit Kutë, të Fierit. Më 14 prill 2000 Gjykata e Fierit e dënoi me 25 vite burg në mungesë për akuzën e vrasjes “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake
Dhjetë vite më pas i dënuari paraqiti kërkesë për rishikim të këtij vendimi dhe më datë 23 tetor 2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi pranimin e kërkesës dhe dërgoi çështjen për rigjykim me një tjetër trup gjykues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier.
Më 11 mars 2022 Gjykata e Fierit e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim, në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme. 47 vjeçari ankimoi vendimin në apel duke kërkuar që të shpallet i pafajshëm.
Ditën e djeshme, më 14 qershor 2023, Gjykata e Apelit e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Genti Dokollari dhe anëtar Iliba Bezati dhe Fuat Vjerdha, vendosi lënien në fuqi të vendimit dhe e dënon përfundimisht me 21 vite burg.
Si u arrestua në Britani
Në 2018 Hektor Mahmutaj u arrestua nga autoritetet britanike me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Në tetor të 2018 një gjykatë britanike pranoi kërkesën që ai të ekstradohej në Shqipëri, por e la të lirë me kusht kundrejt garancisë 10,000 mijë dollarë deri në momentin e ekstradimit të tij. Këto momente shfrytëzoi Hektor Mahmutaj për tu arratisur.
Ai u ekstradua më 1 gusht 2020 në Shqipëri ku rinisi betejën gjyqësore për akuzën e vrasjes për të cilën akuzohej dhe që kishte ndodhur në 1997.
NJOFTIM PER MEDIA
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në kuadër të transparencës, sqaron sa më poshtë si vijon:
Më datë 01.08.2020 autoritetet kompetente angleze kanë dorëzuar në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, për qëllim ekstradimi shtetasin me iniciale H.M, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, gjykuar në mungesë.
Shtetasi H.M ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetasit me iniciale G.J, në vendin e quajtur “Kurrizi i Sinanit”, ku bëhet bashkimi i rrugës nacionale me rrugën e fshatit Kutë, (ngjarje e ndodhur në vitin 1997).
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka zhvilluar gjykimin e çështjes penale që i përket të pandehurit me iniciale H.M, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ”, parashikuar nga nenet 78-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 146, datë 14.04.2000 ka vendosur:
Të deklaroj fajtor të pandehurin M, për veprën penale “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe në bazë të neneve 78 – 25 të Kodit Penal ta dënoj atë me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
Të deklaroj fajtor të pandehurin M, për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ” dhe në bazë të nenit 278/2 të Kodit Penal ta dënoj me 1 (një) vit burgim
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, ta dënoj të pandehurin H.M me një dënim të vetëm me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim
Vuajtja e dënimit të filloj nga dita e kapjes së tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
I dënuari H.M, bazuar në nenin 450/dh të K.Pr. Penale ka paraqitur kërkesë për “Rishikimin e vendimit penal nr. 146, datë 14.04.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier”.
Me vendimin nr. 62-2020-4019 (1333), datë 23.10.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur:
-Pranimin e kërkesës së të dënuarit H.M.
-Rishikimin e vendimit penal nr. 146, datë 14.04.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, marrë formë të prerë në datë 24.04.2000.
-Dërgimin e çështjes për rigjykim në një tjetër trup gjykues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier.
Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 62-2022-1170 (105), datë 11.03.2022 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit M, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, të parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal, të ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001 dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit M, për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ”, të parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal, në fuqi me datë 09.07.1997 dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, të dënoj të pandehurin M me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, i cili duhet ta vuaj në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale H.M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm.
Në përfundim të gjykimit në apel, më datë 14.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtar Znj. Iliba Bezati dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 105 datë 11.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me këtë ndryshim:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M. për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76-25 te K. Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.
-Ne aplikim te nenit 55 të K. Penal, në bashkim të dënimeve, të dënohet përfundimisht i pandehuri H.M. me 21 (njëzet e një) vjet burgim.