Prej 1 tetorit nis faturimi i ujit në katër komunat veriore - Gazeta Express
string(59) "prej-1-tetorit-nis-faturimi-i-ujit-ne-kater-komunat-veriore"

Lajme

Gazeta Express

03/08/2026 7:22

Prej 1 tetorit nis faturimi i ujit në katër komunat veriore

Lajme

Gazeta Express

03/08/2026 7:22

Procesi i integrimit të sistemit të ujit në veri të Kosovës po i jep fund një epoke 27 vjeçare të furnizimit pa pagesë.

Instalimi i matësve të rinj, punësimit të stafit vendor dhe nisja e faturimit zyrtar për bizneset dhe amvisëritë, janë hapat konkret që pritet të finalizohen më 1 tetor.

“Tash së fundi, me vendimin e Qeverisë janë ndarë 200 mijë euro për vendosjen e ujëmatësve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Procedura e prokurimit është përfunduar dhe do të vazhdojmë me vendosjen e ujëmatësve për institucionet, bizneset dhe më pas për amvisëritë. Janë vendosur mbi 200 ujëmatës në institucione dhe presim pagesat e para gjatë këtij muaji”, ka thënë Bashkim Kurti, drejtor i Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”

Në terren, ekipet e Ujësjellësit po vazhdojnë instalimin e pajisjeve në të katër komunat veriore, ndërsa puna, sipas tyre, po ecën sipas planifikimit. Fokus i parë janë objektet me rëndësi të veçantë ekonomike dhe publike.

“Momentalisht jena tu vendos ujëmatësa nëpër institucione, në katër komunat veriore, tash momentalisht jena tu i vendos në kombinatin Trepça, tutje duhet me vazhdu nëpër Zveçan me i vendos, Leposaviq normal edhe Zubin Potok”, ka thënë Bujar Asllani, koordinator për pjesën veriore

E vënia në rregull e sistemit të faturimit po mirëpritet edhe nga vetë përfaqësuesit e institucioneve publike në veri. Për ta, matja e saktë e konsumit është hapi i parë drejt përgjegjësisë dhe funksionimit të rregullt ligjor.

“Që kur jemi vendosur në objektin e ri nuk kemi mbetur asnjëherë pa ujë. Faturat vijnë rregullisht dhe paguhen nga institucioni”, ka thënë Katarina Agjanqiq, përfaqësuese e ATK-së

“Në objektet tona ujëmatësit janë të instaluar. Faturimi ka filluar që nga muaji mars dhe deri tani gjithçka është në rregull. Nuk kemi pasur probleme me shërbimet e ujësjellësit”, ka thënë Erduan Baliqi, përfaqësues i Policisë së Kosovës,

Krahas instalimit të ujëmatësve, kompania po zhvillon edhe kontrolle për të parandaluar keqpërdorimin e ujit, veçanërisht në komunën e Zubin Potokut, ku janë evidentuar raste të shumta të shfrytëzimit të paautorizuar.

“Në anën tjetër, ekipet tona kontrollojnë në terren, nga njësia qendrore që monitoron keqpërdorimet e vazhdueshme të qytetarëve, pavarësisht ndalesave qoftë në jug apo veri. Në veçanti javën e kaluar në komunën e Zubin Potokut kemi pasur kontrolle të shumta, sepse keqpërdorimet janë marramendëse”, ka thënë Bashkim Kurti, drejtori i Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”

Këto masa pritet të ulin humbjet e mëdha operative që deri më tani i kushtonin ujësjellësit rreth 200 mijë euro në muaj. Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të tetorit do të nisë faturimi i rregullt për të gjithë konsumatorët. Ky hap shënon një etapë të re në menaxhimin dhe pagesën e ujit në veriun e Kosovës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement