Gjykata Themelore në Prishtinë e ka pranuar marrëveshjen e fajësisë së arritur mes të akuzuarit Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kjo pas vet ndihmësi i drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe vet e ka pranuar fajin pa presion e pa frikë.
Sipas T7, Popoviq ka pranuar të dënohet me 6 muaj burgim, masë e cila mund t’i zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë.
Më 5 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se kishte dorëzuar aktakuzën ndaj Popoviqit në këtë gjykatë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, duke treguar se zyrtari serb kishte pranuar fajësinë.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, njoftoi Prokuroria.
Prokuroria e akuzon Popoviqin se me dashje dhe qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.
Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”. Ai ishte ndaluar po atë ditë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë.
Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik.