Kryetari i partisë Serbia Qendër (SRCE), Zdravko Ponosh, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, po nxit tensione të reja në rajon për të larguar vëmendjen nga dështimet e politikës së tij ndaj Bashkimit Evropian.
“Rezultati i 14 vjetëve në pushtet është – as BE. Për të larguar vëmendjen nga rrënojat e politikës së tij ndaj Evropës, Vuçiqi po ndez zjarre të reja në rajon. Ashtu si në vitet ’90, shqetësimi i fundit për të është që në këto zjarre do të digjen edhe qytetarët e Serbisë dhe serbët në rajon”, ka shkruar Ponoq në platformën X.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se aktualisht nuk është i mundur një takim me Vuçiqin për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij të fundit, duke bërë që të anulohet edhe takimi i Procesit Brdo-Brioni.
Ponosh ka shtuar se nuk është lajm që Vuçiqi nuk mund të shkojë në Kroaci, duke theksuar se ai shmang edhe vizitat në disa qytete brenda Serbisë.
“Fatkeqësisht, kjo nuk ka të bëjë vetëm me të. Sheshelistët gjithmonë e kanë shitur patriotizmin e tyre të rremë si diçka me vlerë. Tani, me të njëjtin ambalazh nacionalist, po mbështjellin përsëri gjithçka që në thelb e kanë shkatërruar. Rezultati i 14 vjetëve në pushtet është – as BE”, ka shtuar ai.
Sipas Ponoshit, Vuçiqi llogarit që përmes këtyre tensioneve të dobësojë gradualisht institucionet, përfshirë sistemin gjyqësor, mediat dhe universitetet.
“Ai nuk do të ishte i pari piroman që digjet nga zjarri që vetë e ka ndezur”, përfundoi ai.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...