Policia është deklaruar lidhur me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjakovë, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën “Mbretëresha Teutë”, viktima, person i moshës madhore, është sulmuar nga një tjetër person, po ashtu i rritur, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Fillimisht, i lënduari është dërguar për trajtim në QKMF, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “vrasje”. Ndërkohë, autoritetet janë duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarit.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Fillimisht ishte dërguar në QKMF dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka ndërruar jetë. Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se rreth orës 02:20 pas një mosmarrëveshje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar nga një person, po ashtu i moshës madhore, i cili ndodhet në arrati. Njësitë kompetente policore menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast “vrasje”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”.