Si çdo fundjavë kryeministrit Edi Rama poston nga një episod të ri nga podkasti i tij “Flasim”.
Këtë të shtunë me të ka qenë sipërmarrësi Agim Xhindoli. Ky i fundit flet për shumëçka që nga lufta për mbijetesë, emigrimi dhe vlerën e punonjësve në suksesin e një ndërmarrjeje.
E këtu bien dakord që punonjësit janë pjesa më e rëndësishme një biznesi dhe se aktualisht është një moment kritik në të gjithë botën për krahun e punës.
Intervista e plotë:
Kryeministri Edi Rama: Në këtë Podcast, dëshira ime është, siç e kam thënë qysh në momentin e prezantimit të tij, që “Flasim” do të thotë që të flasim me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, me njerëz që e kanë, por dhe me njerëz që nuk e kanë mundësinë që të flasin dhe të dëgjohen përtej sferës së aktivitetit të tyre të përditshëm, me njerëz që për arsye nga më të ndryshmet përbëjnë edhe interes për publikun dhe për ndjekësit e këtij Podcasti.
Sot jam pikërisht me dikë që besoj është hera e parë që sprovohet përpara një mikrofoni dhe syve të kamerave, të cilin unë e kam njohur në procesin e njohjes që ka puna ime, e cila më çon në stacione nga më të ndryshmet dhe më jep mundësinë të takoj njerëz nga më të ndryshmit.
Agim Xhindoli është një sipërmarrës i njohur me të cilin unë kam pasur fatin të takohem krejt rastësisht dhe me thënë të drejtën, për sa më takon, krejt befasisht sepse në ndërkohë që dëshiroja të vizitoja fabrikën, absolutisht nga më të bukurat që unë kam pasur mundësinë të shoh këtu apo jashtë shtetit, kisha një pengesë psikologjike sepse do shkoja të hyja në fabrikën e një demokrati shumë të flaktë, shumë të zjarrtë, me shumë nam dhe natyrisht pengesa psikologjike vinte dhe si rezultat edhe i respektit për faktin që dikush vërtetë ka të drejtë të ketë bindjen e tij, por ka të drejtë dhe për shkak të bindjeve të tij të mos hapë derën e fabrikës për një kryeministër që nuk është zgjedhur prej tij dhe nuk e përfaqëson në atë sferën e bindjeve të tij.
Mirëpo, dera u hap menjëherë, mikpritja ishte e jashtëzakonshme, çfarë unë pashë aty ishte mbresëlënëse dhe edhe ftesës për të ardhur këtu, Gimi iu përgjigj me shumë dëshirë.
Ja ku jemi dhe ti je ndër njerëzit që unë admiroj sepse ata të cilët, sidoqoftë, janë nisur nga një shkallë të ndërtuar më përpara nga prindërit apo gjyshërit, e kanë më pak meritën e tyre sesa e kanë ata që janë ndërtuesit e shkallës së parë dhe ti hyn në ndërtuesit e shkallës së parë të jetës së tij. Fëmija i fundit i 12 fëmijëve.
Agim Xhindoli: Po. Unë jam fëmija i 12-të i prindërve, të ndjerëve që quhen Xhevdet Xhindoli dhe Fahire Xhindoli. Kemi qenë 7 fëmijë që jemi rritur, 5 kanë vdekur të vegjël. Ne jemi një familje myzeqare, lindur e rritur në Lushnje, një familje që, si ta quajmë, rrjedh nga një familje bejlerësh dhe sistemi siç ishte në atë kohë dhe pastaj kemi patur pak atë “njollën” në biografi, “Kulakë, reaksionarë”.
Kryeministri Edi Rama: Të zhveshur nga çdo pronë dhe nga çdo e drejtë.
Agim Xhindoli: Kur kanë ardhur nëna dhe babai im në Lushnje, në vitet ’50, kanë ardhur vetëm me një sepete, i themi ne bauleve. Na kanë strehuar në një lagje të vjetër, lagja Teqe, atje ku kam lindur dhe jam rritur unë.
Kryeministri Edi Rama: Mund ta kujtosh me pak fjalë, le të themi 9 persona, 7 fëmijë dhe 2 prindër. Si ishte jeta?
Agim Xhindoli: Jemi rritur në një dhomë 4 me 4. Jashtë kishim një hamam, kishim një kuzhinë të vogël, por lagja që kemi qenë ne na kanë përkrahur jashtë mase, na kanë mbështetur nga të gjitha drejtimet.
Kryeministri Edi Rama: Në një dhomë 4 me 4 flinit të gjithë?
Agim Xhindoli: Flinim të gjithë në dysheme.
Kryeministri Edi Rama: Prindërit punonin?
Agim Xhindoli: Prindërit punonin; babai ka qenë punëtor në fabrikë të letrës, nëna ka qenë në NSHN punëtore dhe më kujtohet që kur kam qenë i vogël qanim për një kore bukë, kam fjetur dhe pa bukë.
Kryeministri Edi Rama: Dhe fillove të mendosh si tregtar që i vogël.
Agim Xhindoli: Që në moshën 10 vjeç, çdo ditë të diele unë shkoja dhe shisja ujë me gjym, mbushnim ujë në një pus, 1 gotë 1 lek. Pastaj, 3 muajt e beharit punonim që nxirrnim vetë lekët e librave, të çantës, të veshjeve, atletet, ato që vishnim.
Kryeministri Edi Rama: Po çfarë pune tjetër ke bërë përveç shitjes së ujit?
Agim Xhindoli: Bënim dru me babain në pyll. Kemi patur një pyll aty afër. Babai pasi punonte, vinte nga puna e bënin dhe punë të dytë, ata që kishin toka aty, që punonin pas pune dhe ndihmonim babain, unë dhe të gjithë ne si fëmijë. Pastaj, në moshën 14 vjeç, unë kam qenë me 10-ta deri në klasën e 8-të dhe e kam pasur shumë qejf shkollën.
Kryeministri Edi Rama: Dmth, pavarësisht kushteve mizerabël, mësoje.
Agim Xhindoli: Mësoja, shkollën e kisha afër, as 50 metra nga shtëpia.
Kryeministri Edi Rama: Por nuk të lanë të vazhdosh.
Agim Xhindoli: Nuk më lanë. Në moshën 14 vjeç mbarova 8-vjeçaren, fillova punën në ndërmarrjen e grumbullimit që nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 12 punonim në thertore. Pastaj shkoja në shtëpi në 12, deri në ora 1 bëja pushim, shkoja në fabrikën e miellit dhe ngarkoja vagonat me miell; hamall dhe nga mosha 14 vjeç e deri më sot që jam 63 vjeç nuk kam patur asnjëherë mungesë për asgjë.
Kam punuar në ato kohë dy punë dhe madje kujtoj që kur kam qenë në kurs të shoferave bëja dhe turnin e tretë tek grumbullimi që sot është Lunapark në Lushnje.
Kryeministri Edi Rama: Në mos gabohem, rreth moshën 16 -17 vjeç merreshe me sport.
Agim Xhindoli: Pastaj kishim qejf se ishim…. çunat e lagjes janë marrë me mundje.
Kryeministri Edi Rama: Si e bëje dhe kasapin, edhe hamallin, edhe mundësin?
Agim Xhindoli: Ai që do e gjen kohën. Unë e kam gjetur kohën dhe meqë ishin shokët e mi që merreshin me mundje dhe lagja jonë kishte dhe mundës dhe peshëngritës, si gjithë të rinjtë e gjeja kohën dhe bëja 3 herë në javë stërvitje. Disa kohë shkoja në shkollë nate, kam bërë shkollën e natës për mekanike mirëpo shkolla e natës loznim gjithë ditën, shkoja dhe flija nja dy orë në bankë. Nuk mungoja, por shkoja.
Pastaj, në moshën 18 vjeç hyra në kurs të shoferave, mora patentën, shkova ushtar, u ktheva nga ushtria. Kam shkuar në 1981 në Mirditë dhe kam bërë kursin e naftës. Kam punuar 1 vit në Mirditë sepse ashtu ishte rregulli. Kam punuar dublant dhe pastaj u ktheva në park të mallrave. Aty shkova shofer dhe më dhanë një kamion që ishte tek mbeturinat, jashtë përdorimit. E kam ngritur kamionin me duart e mia, se kam qejf punën dhe hekurat, e kam bërë kamionin… bëja nga 2 plane në vit. Unë gjithmonë kam qenë “avion” sepse ka qenë atëherë Stenda e Emulacionit Socialist ka qenë avioni, makina, vetura, karroca e madje më kujtohet në vitin 1987 i vajta drejtorit në zyrë; ka qenë një burrë zotni, Lon Çuko, njeriu i Lenka Çukos që ishte dhe anëtar partie, por ishte zotëri burrë. Njiheshim që kalama se ka qenë përgjegjës i grumbullimit dhe i thashë “Drejtor, kam qejf të më çosh në park të eksportit”, se e kisha ëndërr. Më tha – Gim, ti je djalë shumë i mirë, nuk të çon dot Loni në park të eksportit sepse ke atë punën e biografisë. E ke mbaruar të mesmen ti?
-Po, e kam mbaruar.
– Do të bëj Loni instruktor?
Më ka bërë instruktor Lon Çuko. Të nesërmen janë hedhur si grerëza Sekretari i Partisë, i bashkimeve profesionale.
-Kë do bësh, raksionarin.
Ai burrë nuk pyeti njeri. Instruktor i shoferave të naftës. Kam qenë 4 vjet. Kam nxjerrë 1100 shofera nga e gjithë Shqipëria dhe pastaj në ‘91 u hap rruga dhe unë nuk kam ikur në 6 mars se kisha kursantët, në 10 prill kisha provat e kursantëve dhe më erdhi gjynah që t’i lija pa patentë dhe nuk ika në 6 mars me eksodin dhe ika në 20 maj të ’91.
Në Itali kur kam shkuar, kam shkuar me patentë ndërkombëtare dhe kam filluar shofer pas 15 ditësh. Në Itali kam punuar dhe kur kam ikur në ’91 e kam lënë djalin 1 vjeç dhe kur jam kthyer e kam gjetur djalin 4 vjec. Kur kam ardhur për herë të parë, pas 3 vjetëve, i tha djali të ëmës “Kush është ky burri që fle këtu?”
-Babi, Gimi. Nuk e dinte ai, e dinte thjesht si emër. Më pas, unë kam një shok, si vëlla, italian. Kur kam shkuar në fillim, 32 vite në atë komunë. Kam punuar shofer; i hipja kamionit të dielën në darkë dhe zbrisja të shtunën në mëngjes ose të premten në darkë. 1 javë pa hequr këpucën nga këmba. Kisha një kamion Scania që e kisha ëndërr, me kasetofon dhe krevat brenda, dhe shtunë-dielë shisja fruta-perime në markatë.
Ai më pa që isha punëtor dhe më tha “Gim, je djalë i mirë, je djalë punëtor. Kthehu në Shqipëri se këtu do mbetesh shofer”. Ai ishte momenti që ai më ndihmoi në të gjitha drejtimet; erdha në Lushnje, hapa biznesin bashkë me vëllezërit dhe që në ’94, 4 muaj pasi hapa biznesin, kam punësuar 3 italianë, kam sjellë shkollën e parë moderne nga Italia që ishte makina brenda në klasë, të gjitha tipet e mjeteve dhe kam sjellë, gjithë pajisjet për lyerjet e makinave, kam sjellë një bojaxhi, një karrocier për llamarinat dhe një mekanik, që në ’94. Kanë punuar 3 vjet në Shqipëri, u martuan me gra shqiptare dhe kanë familjet sot e kësaj dite.
Kryeministri Edi Rama: Si erdhi ideja që pastaj ngriti biznesin në një nivel ndërkombëtar me gurin dhe mermerin?
Agim Xhindoli: Pasi në ’97 ndodhi ajo që ndodhi, italianët u kthen e ne pastaj e mbyllëm biznesin dhe mbrojtëm pronën tonë në rrezik, por shyqyr Zotit nuk patëm probleme. Më pas, vëllai i madh, se jemi 3 vëllezër, 3 ortakë. Ne në kohën e monizmit kemi patur një xhep. Në ’94 kur blemë që filluam biznesin, shitëm shtëpinë, ndenjëm me qira dhe kemi bërë shtëpinë brenda në fabrikë dhe tre vëllezër jetojmë aty.
Kryeministri Edi Rama: Po, e kam parë shtëpinë
Agim Xhindoli: Dhe pastaj vëllai i madh i kishte qejf këto. Tha Agim do fillojmë me mermer. Po, fillojmë. Unë kisha parë me kamion, se kam vajtur kam lëvizur gjithë Italinë që kam punuar me kamion dhe filloi mermeri dhe bashkë me djalin e vëllait me nipin tim i kemi çmontuar vetë makineritë, i kemi revizionuar, kemi filluar punë pastaj hap pas hapi arritëm këtu ku jemi, por vetëm me punë. Punë 24 orë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk keni bërë vetëm punë. Keni bërë dhe politikë.
Agim Xhindoli: Shiko, unë nga jeta jam i kënaqur, nuk qahem. Edhe punë, edhe kemi jetuar, por jemi marrë me politikë lokale sigurisht dhe kemi bërë maksimumin, atë që na takonte si qytetarë dhe nuk jemi pishman për asgjë. Kemi dhënë kontributin tonë në Lushnje. Unë dhe biznesin e kam në Lushnje, nuk jam zhvendosur dhe shtëpinë aty e kam. Që në 2003 kam marrë nënshtetësinë italiane. Nuk jetoj në Itali. Vetëm në Lushnjë jetoj.
Kryeministri Edi Rama: Vëllai i madh Mevlani ishte deputet.
Agim Xhindoli: Djali i Mevlanit ka qenë kandidat në vitin 2015 për kryetar bashkie. Lushnja ka një specifik, Lushnja nuk i shikon shumë partitë. Ne jemi qytetarë se në Lushnjë kanë qenë vend internimi.
Kryeministri Edi Rama: Po ka qenë rezervati i dhunës atje
Agim Xhindoli: Bile do them diçka interesante. Ku e kam krijuar unë simpatinë për juve.
Kryeministri Edi Rama: Ah, nuk e di. Pse e ke pas përpara? Unë thashë se e krijove kur më pe nga afër në fabrikë.
Agim Xhindoli: -Jo, jo. Tani po, tani është shumëfishuar, por në vitin ‘87 kur ju keni qenë në Lushnjë që keni bërë muzeun e Lushnjës, ne që kemi qenë shoferë atëherë dhe vinim gjithmonë të Blerimi që pinim kafe. Besim Golemin dhe Klementin, unë i kam shokë fëmijërie, Klementi se Besimi është më i madh dhe i kam marrë në Itali bashkë, me mua kane qene. Dhe ne të rinjtë juve ju shikonim, se Lushnja qytet provincial i vogël. Ti që atëherë ke qenë nga natyra rebel, ke qenë modern, inovativ, ne të shikonim idhull, ta them me sinqeritet.
Kryeministri Edi Rama: Mua më kujtohet kur kam ardhur në Lushnjë herën e parë sepse ishte duke u ndërtuar muzeu i famshëm i tokës dhe bashkë me Vladimir Myrtezain shokun tim të ngushtë, por ne morëm një porosi si të thuash që të bëjmë një vepër aty dhe mua më pëlqeu shumë si ide sepse ishte përpara 45-ës, pra të përshkruanim Shqipërinë e kohës së Zogut në një murale. Dhe për mua ishte një mundësi që ne të kishim dorë të lirë sepse justifikoheshim me idenë që është Shqipëria e kohës së Zogut tani dhe prandaj dhe ngjyrat janë kështu, prandaj dhe format janë kështu, dhe dy episode kam që janë të paharrueshme.
Episodi i parë kur arrijmë ditën e parë. Zbresim në Lushnje nga treni, hera e parë që shkelnim në Lushnjë dhe shkojmë te hotel Myzeqeja dhe ishte mu aty, kat i tretë dhe futemi të dy në një dhomë, dy krevate aty, një dhomë modeste, nuk kishte ujë. Hap çezmën, s’kishte ujë. Dhe ndërkohë bie telefoni, ishte një telefon aty. Hap telefonin unë dhe thotë: ju pret poshtë i plotfuqishmi. S’kam kërkuar – i thashë – asnjë të plotfuqishëm kështu që skam takim me asnjë të plotfuqishëm dhe e mbyll telefonin. I bie dhe një herë, nuk e hapa fare. Kur pas pak bie dera, hap derën unë dhe shoh një personazh me një kostum, gri, me këpucët gri me vrima. I zeshkët me një kravatë si gjuhë lope kështu e trashë që më thotë: atë mjekrën do ta rruash vetë apo do ta rruajmë ne, gjatosh? Unë mbaja një kështu si mjekër të parruar, ishte ajo revolta e kupton? Dhe atëherë mjekra e parruara ishte problem dhe unë gjithmonë thoja: ja nesër. Ai thotë “shiko, se këtu është Lushnjë, nuk është Tiranë” dhe tha “ke gjysmë ore kohë të rruhesh”, tha dhe mos të të shkojë mendja të dalësh nga kjo derë pa u rruar,- tha.
Po nuk kam ujë me se të rruhem- i thashë. Shiko e bëj tha, por bën mirë të mos dalësh nga kjo derë tha. Jo, i thashë, unë do dal nga kjo derë që çke me atë punë dhe juve po të doni hajde të flasim prapë, por më sillni ujin këtu që unë të rruhem.
Ky ishte episodi i parë që se harroj atë tip. Dhe episodi tjetër ishte kur ne filluam të bënim pikturën, filloi piktura të krijonte shqetësime, jo po ç‘është kjo, jo po kau kështu dhe Ladi fliste më pak, unë flisja më shumë dhe i thoja unë “kështu ka qenë kau në kohë të Zogut, keni provë për të kundërtën ju? Ku e dini ju? Ne mendojmë që ka qenë kështu, gërdallë e madhe. Jo, s’është kau i Zogut ky, ky është si kau i Pikasos. Nuk e njoh i thoja, nuk di gjë kush është Pikaso, unë di që ky është kau i kohës së Zogut. Po ç’janë këto vajtojca këtu, që kishim disa gra që qanin që dilnin si nga lumi. Ç‘janë këto? Po kështu jemi informuar që futeshin në ujë dhe qanin. Po kjo, po ajo dhe gjithmonë i sfidonim me këtë. Dhe një ditë të bukur çfarë ofendimi marrim, vendosin që veteranët të vinin ta shihnin, meqë ata e kanë parë në kohën e Zogut të shohin. Çfarë skene! Një ditë e dielë, ata merrnin karriget, ngjitur ishte kinemaja, me karrige me dekorata sikur kishin ardhur në një gjyq të madh si festë e madhe që do goditej virusi. Edhe ishte njëri, një person, i cili më ndiqte mua në Lushnjë, më ndiqte literalisht me një çekiç të mbledhur në një gazetë dhe thoshte : unë atë do ta vras. Dhe ishte gjys i çmendur. Unë e merrja me te qeshur dhe atëherë për hir të së vërtetës edhe unë kam pasur atë protektorin tim që ishte Gjergji Velo. Gjergji Velo ishte personazh, figurë. Gjergji Velo ishte atje dhe na mori në një farë mbrojtje, si të thuash.
Agim Xhindoli: -Ka bërë dhe për Lushnjën ai.
Kryeministri Edi Rama: Gjergji Velo kur ecnim në rrugë në bulevard, sepse tha hajde dalim bashkë, dalim me mua dhe pastaj të tjerët s’do ju ngacmojnë fliste për gjëra që ishin futuristike atëherë “jo do bëjmë teleferikun për tek Blerimi, jo zgjatjen e bulevardit, çfarë idesh keni ju’. Ishte personazh.
Agim Xhindoli: Bulevardin ai e ka bërë, më fal se po të ndërpres.
Kryeministri Edi Rama: Në zyrën e tij muzikë klasike. Gjergji ishte një figurë shumë interesante e asaj kohe dhe i them unë “o shoku Gjergj, ç‘është njeri’, i thashë, “po lere tha se është gjysmë i çmendur ai, bën sikur ka luftuar por ai s’ka shkrehur një pushkë, lere seç… Mblidhen këta, ne duke folur, do ti nga fundi i sallës çohet ai, lëshon çekiçin. Çekiçi kalon kështu, unë me Ladin dhe bie te piktura. Fillon një zhurmë dhe një rrëmujë. Këto dy episode mbaj mend nga ajo Lushnjë e asaj kohe. Ka dhe të tjera, por… pastaj aty kam njohur Shpetim Nazarkon, Bujar Xhaferrin, Visar Zhitin, Mond Dokon. Me Visarin kemi pasur një episod shumë të fortë se e ndiqte njeri se sa ishte dalë nga burgu, e ndiqte një nga këta edhe ishim bashkë, e shoh unë atë, rrinte shihte gjithë kohës. Çfarë ke ti që sheh- i thashë. U bë një zhurmë atje.
Agim Xhindoli: -Rrinim gjithmonë me Visarin, me Ilirin që flisnim. Kam punuar te fabrika e tullave dhe prandaj që atëherë neve, jo vetëm unë, por të gjithë që ju shikonim ju si ta them me plot gojën si idhull se ke qenë njeri modern.
Kryeministri Edi Rama: Po kur më pe pastaj që u bëra kryetar i partisë socialiste, çfarë mendove? Ah iku thuaj.
Agim Xhindoli: -Jo, nuk kam menduar kurrë se një njeri që është punëtor, jam vetë punëtor dhe njerëzit punëtorë i dua dhe i respektoj dhe juve që keni ardhur deri këtu s’ju ka falur njeri asgjë, e keni me mund, me djersë, me sakrificë.
Kryeministri Edi Rama: Nejse, s’kemi ardhur këtu të flasim për mua, sepse ke qenë si të thuash vëzhgues nga larg dhe nuk dua të thonë ‘u bë Gimi patrionazhist’ se ti s’je.
Agim Xhindoli: -Më fal një minutë, për këtë unë jam krenar. Unë dhe familja ime e them me plot gojën, që jemi të vetmit gjatë 32 viteve që nuk kemi luajtur nga PD dhe jemi te PD, atje ku kam kontributin 32 vjeçar unë dhe familja ime. Jemi të drejtpërdrejtë, nuk fshihemi. Prandaj respektohemi se jemi të drejtpërdrejtë. Japim kontributin tonë, por s’kam asnjë kompleks. Madje dhe kur erdhët ju te fabrika se unë ju vlerësoj shumë dhe ju respektoj në maksimum se je kryeministri i parë, – se unë në biznes nuk kam as 3 ditë, as tre muaj, as 3 vjet, në 1 maj tani, mbush 29 vjet – dhe nuk ka ardhur njeri nga politika, nga PD që unë kam kontributin tim familjar, të më ketë vizituar fabrikën, as për mire, as për keq. Megjithatë prapë unë i jam mirënjohës të gjithëve, çfarë kanë bërë ia kam bërë hallall. E kam bërë dhe për veten time dhe për shpirtin tim. E kam bërë si qytetar. Dhe kur erdhët atë ditë dhe më thatë: e keni kompleks? Ju thashë: kompleks nuk kam, biles jam më i lumturi i botës që po vjen një kryeministër.
Kryeministri Edi Rama: Tani ajo që në fakt ishte shtysa ime për të të ftuar ka të bëjë me diçka që më ka bërë shumë përshtypje kur kam ardhur në fabrikë dhe që e kemi folur dhe bashkë, që është pjesë e një realiteti të sotëm të biznesit të mirë, të biznesit serioz, të biznesit cilësor shqiptar që nuk dihet, s’kanë si ta dinë kur për këtë gjë nuk diskutohet. Pagat në fabrikën tënde, mënyra si trajtohen punëtoret dhe bindja jote që nuk ka asnjë arsye që njerëzit të ikin sepse praktikisht nëse duan vërtetë të punojnë këtu janë mundësitë për të punuar dhe për të marrë një pagë shumë të mirë në varësi nga ajo që i japin ndërmarrjes dhe tjetra kthimet që ti ke pasur. Pra ke pasur njerëz që të kanë ikur dhe janë kthyer prapë, të cilat përbëjnë një histori për t’u treguar nga biznesi, por ia që nuk është mundësia sepse mediat nuk janë të interesuara për këto pjesët pozitive të historisë bashkëkohore. Bën lajm njeriu që kafshon qenin, jo qeni që kafshon njeriun. Domethënë në njëfarë mënyre kjo është e kuptueshme.
Agim Xhindoli: -Unë e kam nga eksperienca ime. Kur kam ikur në ‘91emigrant si gjithë shqiptarët e tjerë, një nëpunës shteti në atë kohë merrte 10 mijë lekë, po them 10 dollarë ose 10 euro në muaj, që ka qenë kryetar i komitetit ose një drejtor i lartë. Kur kam ikur unë në Itali merrja 10 dollarë ora me kamion. Dua të them që ka një pikë, ishte atëherë. Sot që ne kthehemi, se ti mund të marrësh në Greqi, në Itali, në Angli, në Amerikë edhe 3000 edhe 4000, sa të teprojnë në fund të muajit? Punëtorët e mi, që unë në familjen time nuk i themi punëtorë, ne i mbajmë si bashkëfamiljarë, ne i themi familje dhe ata marrin dy palë rroba në vit, 2 palë këpucë, nuk harxhojnë kohë as për të ardhur në punë se janë të gjithë aty, as një koperton biçiklete, imagjino, janë kushte ideale.Unë pagat i kam konkurruese me Evropën, po, po them me Evropën. Se hemorragjia nuk është vetëm për Shqipërinë. Mua më lidh puna që kam shumë miq dhe në Itali dhe në Ballkan, po hanë dynjanë dhe italianët. Po në Itali edhe një punëtor, një specialist aq merr, 1000-1200 euro, por i vete shtëpia 500 euro, kurse këtu është në shtëpi të vet.
Ne si kompani kemi 3 gjëra që i kemi të shenjta që janë: paga e punëtorit. Gjatë 29 vjetëve nuk ka bërë vaki që unë, ashtu si çdo biznes ka sikletet e veta, ka raste që venim merrnim lekë me interes tek tregu me 30%, ama unë për rrogën e punëtorëve rrija vetë pa bukë, shtrëngoja rripin edhe pagën punëtori e ka marrë; 2) kësti i kredisë bankare, nëqoftëse nuk do të ishin bankat unë s’do ta kisha këtë biznes sot. Bankat, ne, unë për veten time jam shumë, shumë i kënaqur, madje sot më luten për kredi nga korrektësia që unë kam. Doja të shtoja këtë gjë, që këto tre gjëra, do them edhe tjetrën që është datë nuseje në shtëpi, çfarë do që të ndodhë, nusja o do hyjë o do dalë. Më një fjalë paga e punëtorit, kësti i kredisë dhe data e dorëzimit të porosisë tek klienti, nëqoftëse unë them: Zotëri nesër e ke këtë porosi në orën 10, në orën 10.
Kryeministri Edi Rama: Korrektësi. E ke të bukur atë shprehjen ‘’Korrektësia është arkë kursimi’’
Agim Xhindoli: – Ah tani, po, më ndihmo një çikë, se edhe emocione kam. E kam për herë të parë. Të them të drejtën, madje dhe kaq ..
Kryeministri Edi Rama: Mirë po ecën
Agim Xhindoli: Po mundohem. Ah, më ka thënë baba mua. Gimi, më thoshte baba, korrektësia është arkë kursimi. Arkë kursimi nëpërmjet fjalës se lekë nuk të jep njeri. Po të hapet dera. Po t’u hapën dyert, lekë janë.
Kryeministri Edi Rama: Po këta punëtorët që të ikën në Gjermani para ca kohësh?
Agim Xhindoli: -Janë kthyer.
Kryeministri Edi Rama: Po ça thonë?
Agim Xhindoli: -Ça thonë? Unë mbaj mend se kur kam qenë ushtar unë, thoshin : ‘’hë, si të duken, se kishin frikë të thoshim ne, unë vdisja për bukë. Unë isha një kuintal burrë, ngopesha, i thosha. Edhe puna e këtyre. Venë flenë nga 10-20 veta në një dhomë, rrinë larg familjes. Iku ajo kohë që ishte piku që kishte interes, por nëqoftëse sot në Shqipëri merr një pagë 800- 900 euro, 1000 euro në muaj, ça do më? Dhe e keqja është kjo, këtu 8 orë dhe rri në kafe, atje venë punojnë nga 16 orë, shqyhen, po punon 16 orë ti, ka punë sa të duash. Vetëm puna nuk mungon këtu.
Kryeministri Edi Rama: E ça thonë ata kur vijnë?
Agim Xhindoli: E provuam. Madje pardje një inxhinier i imi që kam bashkëpunuar këtu në Tiranë, më ka marrë në telefon dhe më ka thënë: Jam bërë pishman – tha, këtu kishte goxha pagë ai, 1500 euro në muaj dhe ishte shumë i zoti. Dhe më ka thënë që do kthehem.
Agim Xhindoli: Hajde – i thashë unë. Derën e ke të hapur. Madje të gjithë këta punëtorët që kanë ikur, unë i them, ik provoje, dera hapur është. Edhe janë kthyer.
Kryeministri Edi Rama: Është një fazë shumë kritike kjo në fakt për ekonominë edhe për sipërmarrjet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën po në Shqipëri është një fazë shumë kritike sepse të themi të vërtetën biznesi yt dhe kjo kategori e këtij lloji mentaliteti dhe e kësaj lloj qasjeje me biznesin, nuk është e vetmja pamje e realitetit të biznesit shqiptar, ka edhe një pamje tjetër që është realiteti i shfrytëzimit të punonjësve deri në aty ku s’mban. Dhe ndërkohë le të marrim për shembull fasonët. Fasonët u krijuan në atë momentin kur siç e the dhe vetë, e the bukur, këtu ishte paga e kryetarit të komitetit ekzekutiv 10 mijë lekë të vjetra dhe pas pak erdhi momenti kur filluan që të marrin nga 50 e nga 60 dollarë e nga 70 në fillim, kështu që ishte goxha në atë kohë. Mirëpo tani, ka ardhur momenti që shumë nga ato gra që punuan 30 vjet tek makina qepëse, po dalin në pension. Ke shans ti që të ulësh në makinën qepëse një vajzë të re me një pagë, e cila është një pagë 300 mijë lekë të vjetra nga të cilat një pjesë ti një pjesë ia jep nën dorë e një pjesë tjetër shkon ia merr prapë? Po këto janë akte që nuk përputhen më me kohën sepse e para, do të shkojë duke munguar krahu i punës, pra njerëzit duan të jenë të mirëpaguar; e dyta, nuk duhet të ndodhë që të vijë momenti që sipërmarrësit të gjenden si ai që tha; “ore, sa e mësova gomarin që të mos hajë, më ngordhi”.
Agim Xhindoli: -Tamam, shumë e bukur.
Kryeministri Edi Rama: Që do të thotë që punonjësi është A-ja dhe ZH-ja e një biznesi. Po s’pate punonjësit, s’ke asgjë.
Agim Xhindoli: -S’bën dot asgjë vetë.
Kryeministri Edi Rama: Kështu që në këtë pikë është realisht një moment kritik. Nga ana tjetër, ajo që më ka bërë shumë përshtypje tek fabrika jote, por që është karakteristikë e këtij niveli biznesi në Shqipëri, është kapaciteti që keni krijuar për të dalë përtej kufijve dhe për të eksportuar. Juve e rrisni eksportin çdo vit.
Agim Xhindoli: -Ne e rrisim dhe kemi kërkesa çdo vit. Tani që kemi dhe karrierat, këto guroret që i themi ne . Unë, kompania jonë , fabrika meqë të gjithë teknologjinë e kemi nga Italia dhe huqet e punës dhe të gjithë edukatën edhe atë rifiniturën, se Italia është numër një në botë për rifiniturën e mermerit dhe Italia është baza.
Kryeministri Edi Rama: Po ju ndërkohë keni marrëdhënie me shumë shtete. Me sa shtete keni marrëdhënie?
Agim Xhindoli:-Me shumë shtete. Marrim në Kinë, marrim në Indi, marrim në Brazil, marrim në të gjithë Evropën.
Kryeministri Edi Rama: E ndërkohë aty në fabrikë kam parë që bëni edhe prodhime enkas, bëni porosi enkas për klientë jashtë vendit.
Agim Xhindoli:Po, po. Ne kryesisht tani se më përpara kemi punuar edhe me shumicën, kurse tani kemi gati 10 vjet, kemi investuar në teknologji, në makineri bashkëkohore dhe punojmë me arkitektë. Marrim projekte dhe i bëjmë dhe kemi goxha punë.
Kryeministri Edi Rama: Dhe punoni për klientë të huaj?
Agim Xhindoli:-Po, dhe për klientë të huaj. Dhe punë kemi, është gjynah të qahemi.
Kryeministri Edi Rama: Sa punëtorë keni ju?
Agim Xhindoli:-Tani janë aktualisht, janë gati 110 punëtorë.
Kryeministri Edi Rama: Ata janë shumica krah shumë i kualifikuar?
Agim Xhindoli: Pothuajse 80-90% e kualifikuar, kam gati 20 vetë që janë punëtorë turq që punojnë nëpër karriera. Që kanë eksperiencë.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë vijnë turqit nga Turqia e punojnë nëpër karrierat këtu në Shqipëri.
Agim Xhindoli:-Po, po edhe janë të kënaqur.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë i thua një të riu që thotë: “shiko se unë kam bërë shkollën e lartë, nuk punoj dot.
Agim Xhindoli: Unë një të riu i them, me punë arrihet gjithçka. Punë ka plot dhe unë kam edhe eksperiencën nga Italia për shembull. Kur kam vajtur në Itali se mund të thonë që ti mund të mbarosh një shkollë në Itali, puno punëtor, kamarier. S’ka lidhje fare. ‘’Kam diplomë’. Po, mirë o vëlla, ke diplomë, puno për diplomë.
Prapë unë kam një punëtorin e fabrikës sime, inxhinier, ka mbaruar për urbanist. Kur ka ardhur para 12 vjetësh, s’kishte lidhje fare me mermerin. Ai është dashuruar me punën. Është bërë tamam drejtor i përgjithshëm që drejton fabrikën. Ne i japim mundësinë. Unë sot po të kem edhe 40 veta, 50 veta i marr qysh nesër në punë. Edhe specialistë, edhe i paguaj më mirë, nuk ka më, mirëpo këtu është ajo që do ikim. Por unë i them të rinjve, që me mund e me sakrificë arrihet gjithçka. Punë ka. Kur të vijë momenti që ty të krijohet një mundësi e lë dhe vazhdon punën tjetër.
Kryeministri Edi Rama: Një pyetje të fundit kam, Gimi. Si e ke marrëdhënien ti me fëmijët kur vjen puna tek fakti që fëmijët e tu janë fëmijët e një babai që ka? Jetojnë në një familje që ka edhe që mund t’u plotësohet çdo dëshirë. A e mendon ti që suksesi yt është rezultat i të fjeturit edhe pa bukë dikur?
Dhe kur sot fëmijët e tu kanë gjithçka, ua bën të lehtë, ua bën të kollajshme që dua këtë, dua atë, apo e ke gjithmonë parasysh që në një moment të caktuar mund t’iu duhet ta bëjnë gjithçka vetë, largqoftë për shembull.
Agim Xhindoli: Unë fëmijët e mi, djali im ka filluar punë që në klasë të 5-të. Punonte tek fabrika 3 muajt e beharit. E paguaja unë.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë do më shumë, hajde puno.
Agim Xhindoli: Hajde puno dhe punonte. Jo vetëm unë, jo vetëm djali im, por edhe fëmijët e vëllezërve. Unë fëmijës nuk i kreh bishtin. Unë bëj gjithçka, por hajde puno dhe shyqyr Zotit, djali, të gjithë aty i kemi, që punojnë. Unë nuk i vij pas avazit. Unë si Gim nuk e quaj veten pronar, se e kam gjë të ulët. Unë jam një sipërmarrës. Unë jam një punëdhënës. Pronar unë jam i pasurisë së paluajtshme. Nuk jam pronar i punëtorit. Unë pa ata s’bëj asgjë. Edhe ata për mua. Unë kam marrë një risk që si sipërmarrës do të bëj diçka, edhe në bashkëpunim me ata. Dhe kështu i konsideroj punëtorët. Jam shumë i lidhur me ta.
Dhe tek fëmijët, jam shumë i kënaqur madje harrova të përmend edhe këtë; kur kam ikur unë emigrant, po kthehem prapë, gruaja, se të gjithë atëherë shqiptarë mburreshin, ikën merrnin dhe gratë, me vrap. Unë në ajër në Itali, ça do bëja unë, me u mburr kot? Se unë do ta merrja gruan dhe fëmijët për një jetë më të mirë, po unë një herë në jave kthehesha në shtëpi, por edhe gruaja më ka rënë fat i mirë, që më dëgjoi ça i thashë unë.
Kryeministri Edi Rama: Shiko, që ti fatin e pate të mirë, sidomos pasi kalove atë momentin e parë të vështirësisë kur erdhe në jetë etj, etj, këtë e kam me provë unë se veç familjes, përveç takimeve të duhura me njerëzit e duhur në rrugën e bërjes së sipërmarrjes, përveç erës që fryu në favor, ti pate edhe një fat tjetër; ata që ti nuk votove kurrë, ta bënë klimën e biznesit më të lehtë.
Agim Xhindoli: Kjo është e vërtetë. Kjo është super e vërtetë dhe unë prandaj ju vlerësoj, ju respektoj dhe sa të jem gjallë do t’ju mbështes se unë u tha, ju jeni punëtor si puna ime. Edhe ty s’të ka fal asnjëri asgjë, as mua.
Kryeministri Edi Rama: Përtej kësaj mendoj që realisht sot kushtet për të bërë biznes janë më të mira. Edhe pse ka shumë probleme, por janë më të mira.
Agim Xhindoli: Edhe diçka.
Kryeministri Edi Rama: E shikon si të hyn në qejf mikrofoni, biseda. Edhe po çlirohesh pak.
Agim Xhindoli: Unë di të them diçka. Ne që jemi brezi i parë, mua sot më duket vetja në ëndërr. Kur unë jam rritur zbathur, pa bukë, një kokërr mollë hanim për vit të ri, kurse sot. Shqipëria ka qenë më keq nga vendet komuniste. Ka qenë dhe Kroacia. Dua të them që Shqipëria sot në këtë ditë që i bie 111 vjet pas krijimit të shtetit, që janë tre njësha, ju jeni me fat që jeni kryeministër dhe Shqipëria është në kulm. Nuk ka qenë asnjëherë Shqipëria gjatë 111 vjetëve kështu dhe ka ndryshuar shumë. Deri dje, ne kur shkonim në Itali, nuk e njihnin Shqipërinë. Sot, e dini ju që në Lushnjë, dy çuna të rinj që kanë hapur biznes për dhëmbët, vijnë italianët në Lushnjë nuk gjen hotel. Çuna të ri janë ata. Mundësi biznesi ka.
Kryeministri Edi Rama: Në këtë pikëpamje mund të them që nuk e kam ngurrim që të jem realisht krenar e ta them me zë të lartë që kur kam marrë këtë detyrë ishte komplet ndryshe situata me emrin Shqipëri, me respektin e të huajve, në tryezat me homologët, etj. Sot është komplet gjë tjetër.
Agim Xhindoli: Më fal se po të ndërpres. Unë ju kam qejf se ju nuk ndiheni inferior, jeni të barabartë kudo ku shkoni dhe Shqipëria prandaj ka ecur përpara dhe është ajo që është sot.
Kryeministri Edi Rama: Megjithatë ka shumë për të bërë akoma dhe jam i bindur që me sipërmarrës që e vlerësojnë punonjësin më shumë se çdo gjë tjetër, me një qeveri që e vlerëson sipërmarrjen më shumë se çdo gjë tjetër dhe me një ndërveprim mes qeverisë dhe sipërmarrjes dhe më të fortë, do të ecim shumë më shpejt përpara, jam i bindur për këtë.
Agim Xhindoli: Të lutem dhe diçka tjetër. Gjatë 29 vjetëve në biznes, nuk kam asnjë gjobë nga shteti shqiptar, nga tatimet, nga doganat, nga pushteti vendor, etj. Jam jo jeshile, por jeshile e errët.
Kryeministri Edi Rama: Afër blusë!
Agim Xhindoli: Jo afër blusë, por jeshile e errët.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Ky ishte demokrati i zjarrtë dhe sipërmarrësi i zjarrtë Agim Xhindoli nga Lushnja ku së bashku me dy vëllezërit e tij e kanë nisur siç e dëgjuan ata që e ndoqën dhe e panë, pa bukë dhe sot është në krye të një perandorie në kuptimin më të mirë të fjalës, një sipërmarrje, e cila i ka kapërcyer kufijtë e Europës e të kontinenteve të tjera. Jep e merr me botën, prodhon, punon për vendin, eksporton dhe ka të shkruar në ballë devizën e suksesit përmes forcës së ëndrrës dhe këmbënguljes për të ndjekur ëndrrën deri në fund. Faleminderit shumë! Ishte një kënaqësi! Respekte!
Agim Xhindoli: Shumë faleminderit. ishte një vlerësim i madh për mua!
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...