Po qytetarin, kush e mbron? - Gazeta Express
string(25) "po-qytetarin-kush-e-mbron"

Po qytetarin, kush e mbron?

OP/ED

Gazeta Express

25/11/2022 13:29

Si pasojë e vendimeve të qeverisë më së shumti po pësojnë qytetarët, të cilët do të duhej të ishin të mbrojtur nga institucionet.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve ka sjellë një situatë të vështirë në sistemin e drejtësisë. Si reagim ndaj kësaj mase, Këshilli Gjyqësor ka vendosur që të ofrohen vetëm shërbime esenciale për qytetarët. Për pasojë, vetëm të enjten, vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë 150 seanca.

Ekspertët thonë se vendimi i qeverisë për shfuqizimin e një vendimi të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, cenon sigurinë juridike dhe financiare të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e tyre.

Por, pasojat e këtyre vendimeve më së shumti po i vuajnë qytetarët. Ata nuk mund të zgjidhin qindra-mijëra raste nëpër gjykata, në një sistem edhe ashtu joefikas.

Tashmë është e qartë se sistemi i drejtësisë ka shumë probleme, duke nisur nga korrupsioni i prokurorëve e gjykatësve. Mijëra lëndë janë grumbulluar në sirtarë dhe vendimet për raste të caktuara zgjasin me vite.

Por, a është mënyra e duhur kjo që po e zbaton qeveria për ta bërë sistemin më të mirë? A duhet që me një vendim të ndëshkohen të gjithë prokurorët e gjykatësit?

Për punën ose mospunën e secilit prej tyre ekzistojnë mekanzima të vlerësimit të performances, të cilët do të duhej fuqizuar. Por, vendimi për ulje pagash është demotivues për të gjithë ata prokurorë e prokurore, gjykatëse e gjykatës të cilët vërtet kanë vullnet të punojnë sa e si duhet për të sjellë drejtësi. Tekefundit, vendimi dëmton më së shumti qytetarët.

* * *

Qytetarët janë dëmtuar edhe me vendimet rreth targave ilegale në veri të vendit. Serbët, të cilët zbatuan vendimin për kthimin e targave në RKS e pësuan më së shumti, Atyre iu dogjën vetura dhe garazha, ndërkaq institucionet kosovare nuk qenë në gjendje t’iu ofrojnë kurrfarë sigurie,

Ndërkohë, institucionet në veri u braktisën dhe tash, që nga komunat deri në gjykata e prokurori, nuk funksionon asgjë si duhet. Sot qytetarët e veriut nuk mund t’i marrin shërbimet që iu nevojiten, si pasojë e vendimeve politike.

Vendimet mund të jenë legjitime e ligjore, por duhet marrë parasysh edhe se si ato ndikojnë në jetën e qytetarëve të rëndomtë. Nëse politika thotë se bën gjithçka në të mirë të qytetarëve, atëherë kjo nuk është mënyra e duhur.

Dhe, çfarë ndodhi me targat? Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel targat ilegale do të vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, ndërkaq viktima janë ata qytetarë që respektuan vendimin për konvertimin e tyre në legale. Marrëveshja po proklamohet si fitore nga të dy palët. Se për çfarë fitore bëhet fjalë, shpejt do të merret vesh.

* * *

Nxënësit humbën më shumë se një muaj mësim për shkak të grevës. Vendimi politik ishte që mësimdhënësit të paguhen për kohën e grevës, por me kusht që t’i zëvendësojnë orët e humbura. Tash sa javë, orët të shtunave nuk po zëvendësohen, po zëvendësohen pjesërisht ose hiç.

Në këtë mënyrë, viktima janë fëmijët, nxënësit, të cilët u privuan nga e drejta themelore për arsimim për një muaj rresht dhe tash sërish po privohe nga kjo e drejtë, për shkak të tekeve të mësimdhënësve ose prindërve.

Pra, në gjithë luftën ndërmjet qeverisë e sindikatës, më së shumti pësuan fëmijët.

Siç mund të pësojnë në të ardhmen pacientët, për shkak të ndonjë vendimi që ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë ose në përgjithësi qytetarët për shkak të ndonjë vendimi tjetër të ngutshëm e të papeshuar sa duhet.

Qeveria i ka të gjitha mjetet në dispozicion për të ndëshkuar grupe të caktuara për çfarëdo arsye. Por, në këtë situatë të vështirë sociale dhe ekonomike, duhet të merret parasysh se vendimet, ndonëse legjitime, mund të bëjnë më shumë dëm se dobi. Aq më shumë vendimet diskriminuese.

* * *

I tillë, diskriminues, ishte vendimi për ndihmë punëtorëve të sektorit publik, katër muaj me radhë dhe përjashtimi nga kjo mbështetje e shtetit për punëtorët e sektorit privat. Në këtë mënyrë, pra, qeveria vendosi t’i ndihmojë ata që qëndrojnë më mirë në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe marrëdhëniet kontraktuale, ndërkaq i diskriminoi një numër të madh qytetarësh që punojnë në kushte të vështira dhe me paga kurrfare. Inflacioni i ka goditur njësoj të gjithë qytetarët, andaj është e padrejtë që shoqëria të ndahet në këtë mënyrë.

Arsyetimi i qeverisë se pagat në sektorin privat duhet t’i rritin punëdhënësit dhe se nuk ka nevojë për ndihmë mund të tingëllojë logjik, por si shkak i këtij vendimi punëtorët janë ata që dëmtohen më së shumti – veçanërisht një armatë sish që paguhen pak dhe jo me rregull, që nuk gëzojnë të drejtën e pushimit javor as vjetor dhe të tjera benefite sipas ligjit dhe të cilët trajtohen pa dinjitet dhe si skllevër.