Ish-futbollisti dhe trajneri Arsim Plepolli ka thënë se pret me optimizëm që stërvitjet të rinisin brenda dy javëve të ardhshme, përderisa ka insistuar se do të jetë e rëndësishme që çfarëdo vendimi që merret të jetë në pajtim me UEFA-n dhe FIFA-n.
Njëjtë si sektorët e tjera, edhe sporti ka pësuar goditje të rëndë nga përhapja e koronavirusit në botë. Pothuajse të gjitha aktivitetet sportive janë pezulluar përkohësisht në mënyrë që të mos rrezikohet përhapja edhe më e madhe e virusit, transmeton Gazeta Express.
Shkaku i pezullimit të kampionatit në Ipko Superligën e Kosovës, futbollistët e klubeve kosovarë janë vetizoluar në shtëpi dhe po e kanë të pamundur të stërviten me skuadrat.
Por, përderisa ata s’kanë pasur mundësi të zhvillojnë ndeshje apo stërvitje me klubet e tyre, shumicës u janë dhënë programe stërvitore individuale për t’i ndjekur sa të jenë në shtëpi.
Ndihmëstrajneri i Flamurtarit, Arsim Plepolli, ka paralajmëruar se këto stërvitje që futbollistët po i kryejnë individualisht nëpër shtëpitë e veta nuk janë të mjaftueshme, por shpreson që do të mundë t’u kthehen stërvitjeve me klube brenda dy javëve të ardhshme.
“Duhet t’i respektojmë të gjitha sugjerimet që na jepen dhe shpresoj t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit sepse edhe vrapimi pa top për futbollistët është shumë monoton. Por, kur të dalim të gjithë bashkë në stërvitje, atëherë do ta kapim atmosferën shumë më shpejt”, ka thënë Plepolli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Lojtarët janë përmalluar për futbollin, janë përmalluar për topin. Shpresojmë dhe besojmë me optimizëm që të kthehemi sa më shpejt. Unë jam shumë optimist se ndoshta për dy javë do t’u kthehemi stërvitjeve”.
Megjithatë, Plepolli ka insistuar se çdo vendim për rrjedhën e këtij kampionati, si për rinisjen ashtu edhe përfundimin e tij, duhet të ndërmerret në pajtim me UEFA-n e FIFA-n, e jo vetëm sipas dëshirës së klubeve apo Federatës. /Gazeta Express/