Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit nga Partia e Lirisë, Anisa Ibraj, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi vonesa në sistemimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Sipas saj, një vit pas hedhjes së goglave të shortit për banesat, qindra familje vijojnë të mbeten pa strehë, ndërsa 996 apartamente të ndërtuara në Spitallë me fondet e dhuruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe qëndrojnë ende bosh.
“Në Spitallë, 996 apartamente të ndërtuara me fondet e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe vazhdojnë të qëndrojnë bosh. Autoritetet lokale dhe qendrore justifikohen prej një viti me instalimin e matësve të OSHEE, ndërsa banorët presin pa asnjë afat e pa asnjë përgjegjësi nga askush”, tha ajo.
Ibraj theksoi se, “Partia e Lirisë denoncon me forcë këtë skandal dhe i kërkon institucioneve shtetërore: të dorëzojnë menjëherë çelësat e apartamenteve në Spitallë për familjet që presin prej vitesh, të rikthejnë menjëherë bonusin e qirasë për ata që ende nuk kanë përfituar strehimin e premtuar dhe të mbajnë përgjegjësi penale e politike për mashtrimet, vonesat dhe vuajtjet e shkaktuara mbi qytetarët”.