Me rritjen e nivelit të polenit të barit, ekspertët u bëjnë thirrje personave që vuajnë nga alergjitë sezonale të tregohen të kujdesshëm jo vetëm me ilaçet që marrin, por edhe me pijet që konsumojnë bashkë me to.
Sezoni i polenit të barit zakonisht është më problematik nga mesi i majit deri në fund të korrikut. Shumë persona përdorin antihistamina për të lehtësuar simptoma si teshtimat, kollitja, kruarja e syve apo rrjedhja e hundëve. Megjithatë, sipas ekspertëve, disa pije mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi e përthith ilaçin, duke e bërë atë më pak efektiv.
Ekspertët e “Bolt Pharmacy” kanë renditur katër pije që këshillohet të shmangen kur merren antihistamina.
Lëngu i portokallit
Edhe pse konsiderohet një pije e shëndetshme, lëngu i portokallit nuk rekomandohet të konsumohet bashkë me disa antihistamina.
“Shumë njerëz e marrin ilaçin e alergjisë në mëngjes me një gotë lëng portokalli, pa e menduar gjatë”, thonë ekspertët.
Sipas tyre, kjo mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si disa barna që merren nga goja përthithen nga organizmi. Lëngu i portokallit mund të ulë përthithjen e antihistaminës fexofenadine me rreth një të tretën.
Megjithatë, ky ndërveprim nuk vlen njësoj për të gjitha barnat kundër alergjisë. Antihistaminat në formë spraji për hundë ose pika për sy nuk ndikohen në të njëjtën mënyrë, pasi nuk varen nga përthithja në sistemin tretës.
Lëngu i mollës
Edhe lëngu i mollës mund të ulë efektin e fexofenadine. Sipas ekspertëve, kur konsumohet bashkë me këtë ilaç, ai mund të reduktojë ndjeshëm sasinë e substancës aktive që arrin në qarkullimin e gjakut.

Për këtë arsye, këshillohet që tabletat të merren me ujë, për të shmangur uljen e efektivitetit të tyre.
Lëngu i grejpfrutit
Lëngu i grejpfrutit është një tjetër pije që mund të ndikojë te barnat kundër alergjisë. Ekspertët theksojnë se njohja e këtij ndërveprimi është e rëndësishme për t’u siguruar që ilaçi të veprojë siç duhet.
Kujdes duhet treguar edhe kur lëngu i grejpfrutit konsumohet me barna të tjera, pasi mund të ndikojë në përqendrimin e tyre në gjak dhe të rrisë rrezikun për efekte anësore të papritura.
Alkooli
Edhe pse sezoni i alergjive përkon shpesh me periudhën kur njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë, ekspertët këshillojnë që antihistaminat të mos merren bashkë me alkool ose pak para konsumimit të tij.
Sipas rekomandimeve të NHS, alkooli duhet shmangur veçanërisht kur merren antihistamina që shkaktojnë përgjumje, pasi mund ta përforcojë këtë efekt. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat që duhet të ngasin makinën, të përdorin makineri ose të kryejnë aktivitete që kërkojnë përqendrim.
Në përgjithësi, ekspertët këshillojnë që antihistaminat të merren me ujë, për të siguruar përthithje më të mirë dhe efekt maksimal të ilaçit. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...